“Arjani më ofroi lekë”/ Konomi shpërthen ndaj Shabanit: Absurde! S’jam as biznesmen, as oligark!

Arjan Konomi, kandidati për deputet i Adriatik Lapajt, i ka dhënë një përgjigje të prerë akuzave të Endri Shabanit, kreut të Nisma Thurje, lidhur me pretendimet se i ka ofruar para.
Në një intervistë në Top Channel, Konomi mohoi kategorikisht se i ka dhënë para Shabanit, duke e cilësuar si absurde idenë që ai të ofrojë para.
“Si mund të shpifë njeriu gjëra të tilla?! Unë po ofroj para? Para përse? Boll kam shpenzuar për fushatën,” tha Konomi me ironi.
Ai shtoi se nuk është oligark apo biznesmen që të ketë para të tepërta për të ofruar, përkundrazi, fushata i ka kushtuar shumë.
Konomi theksoi se ka pasur biseda politike me Shabanin, për të arritur një marrëveshje që do të favorizonte kandidaturën e tij dhe për t’i kënaqur interesat politike të Shabanit, jo nëpërmjet ofertave financiare, por me fjalë dhe bindje politike.
“Nuk kam ofruar asnjë lekë. Kam folur për politika, për mbështetje politike, jo për para. I kam mesazhet me Endrin, kam kërkuar dhe jam lutur për një zgjidhje politike,” tha ai.
Në anën tjetër, Shabani kishte deklaruar se Konomi i kishte ofruar para, duke akuzuar se ka pasur negociata të përgjakura financiare pas fushatës.
Në përgjigjen e tij, Konomi refuzoi kategorikisht këto akuza dhe e cilësoi këtë si një shpifje të pastër për të minuar imazhin e tij politik.


