Analiza e BIRN/ Beteja në rrjetet sociale, tre demokratë ‘fitojnë’ Tiranën, Salinaji mund Peleshin në Korçë...

Një analizë e BIRN e të dhënave nga llogaritë e faqeve të Facebook-ut dhe Instagram-it të qindra kandidatëve që garojnë për një post në parlament në zgjedhjet e 25 prillit, tregon se Partia Socialiste në pushtet ka një ndërveprim më të lartë me votuesit se opozita.
Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, pandemia e COVID-19 dhe masat e distancimit social i kanë detyruar partitë që të kufizojnë mitingjet dhe grumbullimet masive politike. E megjithatë, një garë e ethshme për të bindur votuesit po zhvillohet në botën virtuale të rrjeteve sociale.
Shpërndarja më e gjerë e internetit, në krahasim me katër vite më parë, si dhe rritja e numrit të përdoruesve të mediave sociale i ka shtyrë partitë politike dhe kandidatët për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit që t’i përdorin ato si platformat kryesore politike të komunikimit.
“Në kushte pandemie që jemi ne media sociale është e një rëndësie të jashtëzakonshme, e një rëndësie më të mëdhe se sa në një situatë normale,” thotë Gjergji Vurmo, nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM.
Afrim Krasniqi, drejtues Institutit për Studime Politike, thekson se fushata aktuale zgjedhore ka krijuar një situatë paradoksale. “Politika përdor teknologjitë e reja të komunikimit por një pjesë e madhe e shoqërisë nuk ka akses në internet ose nuk ka njohuritë e duhura për përdorimin e mediave të reja,” tha ai.
“Nga ana tjetër, listat e partive janë dominuar nga kandidatë të ardhur jo për shkak te meritokracisë së brendshme, por nga “jashtë” bazës, me imponim nga lart, ndaj këta të fundit e kanë më të lehtë të komunikojnë përmes mediave sociale ku auditori është më i gjerë sesa të bazohen tek strukturat e tyre të partive ku duhet të investohen për tu pranuar si kandidatë dhe më pas për të bërë fushatë,” shtoi ai.
Një analizë e BIRN e të dhënave nga llogaritë e faqeve në Facebook dhe Instagram të qindra kandidatëve që garojnë në zgjedhje, faqeve zyrtare të partive politike dhe degëve të tyre vendore, tregon se Partia Socialiste dominon me numrin total të ndërveprimeve në rang kombëtar në këto dy platforma komunikimi, duke lënë pas Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste në Integrim.
Avantazhi i Partisë Socialiste maksimizohet nga investimi afatgjatë në llogaritë virtuale të liderit të saj si dhe numri i lartë i postimeve dhe videove të ngarkuara me propagandë elektorale; një pjesë e së cilave trumbeton arritjet gjatë qeverisjes 8-vjeçare, ndërsa pjesa tjetër godet me sulme karakteriale ndaj krerëve të opozitës.
Dominanca e PS-së në rang kombëtar udhëhiqet nga niveli i lartë i ndërveprimeve në faqet sociale të kryeministri Edi Rama. Ndërkohë, gara virtuale mes kandidatëve në rajone të ndryshme të vendit, nuk është gjithmonë në favor të partisë në pushtet.
Të dhënat janë mbledhur nga 85 mijë postime në Facebook dhe Instragram të bëra në dy javët e para të fushatës zgjedhore – nga 26 marsi deri më 9 prill – nga 756 llogari të partive, degëve të tyre lokale, kandidatëve dhe zyrtarëve të ndryshëm partiakë ose të zgjedhur vendorë.
Për mbledhjen e të dhënave, BIRN përdori ‘Crowdtangle’, një aplikacion në pronësi të Facebook. Aplikacioni mbledh të dhëna sa herë një përdorues i Facebook komenton, ndan ose reagon ndaj një postimi, duke matur popullaritetin e tij nëpërmjet një metrike të quajtur ‘shuma totale e ndërveprimeve.’
Analizimi i të dhënave të ‘ndërveprimeve totale’ në rrjete sociale nuk është një matës i përsosur i mundësisë së një kandidati apo partie politike për të fituar zgjedhjet parlamentare.
Për shembull, një koment i lënë në faqen e kryeministrit në Facebook përllogaritet si një ndërveprim, përtej faktit që ai mund të jetë me ton pozitiv apo negativ nga një mbështetes apo kundërshtar politik.
Megjithatë, këto të dhëna janë tregues të rëndësishëm mbi mënyrën se si po tejçohet mesazhi propagandues gjatë fushatës zgjedhore nga partitë dhe kandidatët e tyre për deputetë.
PS dominon në rang kombëtar
Në rang kombëtar, Partia Socialiste ka një ndërveprim më të lartë në rrjetet sociale, në krahasim me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. BIRN analizoi të dhënat nga 320 llogari sociale në Facebook të kandidatëve për deputetë në zgjedhje. Në analizë u përfshinë të gjithë kandidatët që kishin një faqe publike gjatë periudhës së monitoruar – mes së cilëve 120 kandidatë nga Partia Socialiste, 110 kandidatë nga Partia Demokratike, 74 kandidatë nga Lëvizja Socialistë për Integrim dhe pjesa tjetër nga Bindja Demokratike, Nisma Thurje dhe kandidatë të pavarur.
Gjatë dy javëve të para të fushatës, të gjithë kandidatët në zgjedhje postuan 11,830 postime në Facebook dhe realizuan 7.88 milionë ndërveprime. Gati gjysma e postimeve ose 48.78% e tyre u bënë nga kandidatë të Partisë Socialiste, 37.02% nga kandidatë të PD dhe 11.27% nga lista e kandidatëve të LSI.
Partia Socialiste udhëheq me numrin e ndërveprimeve totale në Facebook gjatë dy javëve të para të fushatës, me 4.11 milionë ndërveprime, e ndjekur nga PD me 3.45 milionë ndërveprime dhe LSI me 243.7 mijë ndërveprime.
“Une druaj se PS-ja ka në dispozicion një armatë njerëzish, jo thjesht qasje në komunikimin publik, por edhe një armatë njerëzish apo ‘account’-esh, njerëzish virtualë, shumë më të madhe se partitë e tjera,” tha ai.
Në të njëjtën periudhë, kadidatët për deputetë në parlamentin shqiptar postuan 3,035 video në Facebook – shumica e të cilave video propagandistike ose transmetime live të takimeve me zgjedhësit, të cilat regjistruan 61.32 milionë shikime në Facebook.
Pak më shumë se gjysma e këtyre shikimeve kanë shkuar për video të postuara nga kandidatët e Partisë Socialiste – me 32.22 milionë shikime në total, e ndjekur nga Partia Demokratike me 26.81 milionë shikime dhe LSI me 1.68 milionë shikime.
Ndryshimet e mëdha në shikimet dhe ndërveprimet e regjistruara nga faqet e kandidatëve lidhen me numrin e ndjekësve të tyre, por dhe me numrin e videove të publikuara prej tyre. Kështu, gjatë gjysmës së parë të fushatës elektorale, PD ka hedhur 1,421 video në Facebook, PS ka postuar 1,283 video dhe LSI 266 video.
Në rrjetin social Instagram u morën në analizë postimet në 240 llogari publike të kandidatëve gjatë dy javëve të para të fushatës elektorale, nga të cilat 85 llogari i përkasin Partisë Socialiste, 69 Partisë Demokratike, 69 Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe 15 llogari i përkasin partive të tjera garuese në zgjedhje. Në total, llogaritë në Instagram gjeneruan 2.11 milionë ndërveprime nëpërmjet 4,740 postimesh.
Ngjashëm me Facebook-un, numri më i lartë i postimeve është bërë nga kandidatët e Partisë Socialiste me 2,542 postime, e ndjekur nga kandidatët e PD-së me 1,453 postime dhe LSI me 606 postime. Lista e PS ka gjeneruar 1.12 milionë ndërveprime në Instagram, e ndjekur nga PD me 833 mijë dhe LSI me 132 mijë.
Gati 72% e postime në Instagram ose 3,402 postime kanë qenë video, të cilat kanë gjeneruar në total 4.46 milionë shikime. Sërish Partia Socialiste udhëheq me 2.43 milionë shikime në videot e postuara në Instagram, e ndjekur nga PD me 1.66 milionë dhe LSI me 351 mijë shikime.
Rama udhëheq ndaj Bashës dhe Kryemadhit
Në numrin e lartë të ndërveprimeve të listës së kandidatëve të Partisë Socialiste, një rol të rëndësishëm luajnë faqet publike në Facebook dhe Instagram të kryeministrit Edi Rama. Kryetari i Partisë Socialiste ka 1.5 milionë ndjekës në faqen e tij në Facebook, ndërsa kreu demokrat, Lulzim Basha ka 629 mijë ndjekës. Ndërkohë, Monika Kryemadhi e LSI ka 87 mijë ndjekës.
Rama jo vetëm që ka dyfish më shumë ndjekës së rivali i tij demokrat, por gjithashu bën më shumë postime. Gjatë dy javëve të para fushatës, kryeministri ka bërë 210 postime në Facebook, kundrejt 110 postimeve të Bashës dhe 52 postimeve të Monika Kryemadhit.
Postimet e Ramës kanë gjeneruar në total 1.89 milionë ndërveprime, postimet e Bashës 743 mijë ndërveprime dhe ato të Kryemadhi 60 mijë ndërveprime. Në të njëjtën periudhë të marrë në analizë, videot e postuara nga Edi Rama kanë marrë 22.24 milionë shikime, i ndjekur nga Basha me 7.5 milionë shikime dhe Kryemadhi me 596 mijë shikime.
Ndryshe nga faqet në Facebook, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë bërë më shumë postime në Instagram sesa Edi Rama. Basha, gjatë periudhës të marrë në analizë ka bërë 205 postime, Kryemadhi 156 dhe Rama 143.
Megjithë numrin më të ulët të postimeve, kryeministri udhëheq edhe ndërveprimet e siguruara në Instagram me 1.79 milionë pëlqime, i ndjekur nga Lulzim Basha me 483 mijë pëlqime dhe Kryemadhi me 127 mijë. Videot e postuara nga Rama në Instagram kanë marrë 7.48 milionë shikime të regjistruara, ato të Bashës 2.43 milionë dhe të Kryemadhit 602 mijë.
Beteja virtuale në rajone
Përveç të dhënave në rang kombëtar, BIRN analizoi edhe ndërveprimet sipas partive në rang qarku, duke qenë se sistemi zgjedhor në Shqipëri e ndan vendin në 12 rajone zgjedhore. Kryetarët e partive nuk u përfshinë në analizën e kandidatëve brenda rajonit, pasi një pjesë kandidojnë në disa qarqe dhe në të gjitha rastet udhëheqin fushatën zgjedhore kombëtare.
Falë faqes popullore të ish-kryeministrit, Sali Berisha në Facebook, PD ka trefishin e ndërveprimeve ndaj PS-së në qarkun kryesor të Tiranës. PD ka në total 1.72 milionë ndërveprime me ndjekësit, kundrejt 584,243 ndërveprimeve të PS dhe 84,638 ndërveprimeve të LSI.
Llogaria e Berishës në Facebook gjeneron më shumë ndërveprime se e gjithë lista e PS-së e marrë së bashku në Tiranë, me 699,339 ndërveprime në dy javët e para të fushatës.
Berisha ndiqet nga pas nga Grida Duma, Agron Shehaj dhe Elisa Spiropali.Në dy javët e para të fushatës, kandidatët e PS-së në Berat ka regjistruar 54,387 ndërveprime në Facebook, kundrejt 28,747 të kandidatëve të PD-së dhe 7,807 të LSI-së. Kandidati me numrin më të lartë të ndërveprime në Facebook në Berat është ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, i ndjekur nga kandidati i PD-së për deputet, Tomorr Alizoti.
Ndryshe nga Berati, në rajonin e Dibrës udhëheq PD me 92,600 ndëveprime në Facebook, e ndjekur nga PS me 21,609 ndërveprime dhe LSI me 6,146.
Kandidati me ndërveprimet më të larta të ndjekësve në Facebook është ish-kryetari i bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, me 81,101 ndërveprime. Megjithatë, surpriza më e madhe e këtij rajoni është kandidati i pavarur, Elton Debreshi, i cili ka regjistruar 20,561 ndërveprime në Facebook.
Në rajonin e Durrësit, PS udhëheq me 81,198 ndërveprime, e ndjekur ngushtazi nga PD me 79,334 dhe LSI me 12,123 ndërveprime. Ndërveprimet më të larta në këtë rajon i ka kreu vendor i PD dhe ish-ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri me 31,832, i ndjekur nga ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi me 30,493.
Garën në Facebook në Elbasan e dominon sërish Partia Socialiste me 541,710 ndëveprime, e ndjekur nga PD me 147,158 dhe LSI me 13,781 ndërveprime. Ndërveprimet e larta të socialistëve në Elbasan vijnë kryesisht nga faqja e kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, e cila ka regjistruar 379,517 ndërveprime në dy javët e para të fushatës.
Prania e zv.kryeministrit Erion Braçe nuk ka pasur të njëjtin efekt në Fier, ku PD udhëheq me 110,041 ndërveprime, kundrejt 57,848 të PS dhe 12,765 të LSI. Faqja më popullore e Facebookut mes kandidatëve në Fier i përket ish-ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.
Në Gjirokastër, falë faqeve të ministrit të Rendit, Bledi Çuçi dhe ish-ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi, Partia Socialiste dominon qartazi me 164,850 ndërveprime, kundrejt 16,275 të LSI dhe vetëm 9084 të PD.
Gjithashtu, PS udhëheq në Korçë me 212,241 ndërveprime, e ndjekur nga PD me 118,190 dhe LSI me 26,697 ndërveprime në Facebook. Ndryshe nga Korça, falë llogarisë popullore të analistit politik që garon për deputet, Agron Gjekmarkaj, PD ka më shumë ndërveprime se PS në Lezhë. Faqja e Gjekmarkaj në këtë rajon ka regjistruar 27,961 ndërveprime, e ndjekur nga ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla me 25,367 ndërverpime në Facebook.
Në Shkodër, Partia Demokratike udhëheq me 114,153 ndërveprime kundrejt 74,267 ndërveprimeve totale të Partisë Socialitste. Ndërkohë në Vlorë, PD ka 138,810 ndërveprime, ndërsa PS ka regjistruar 166,903 ndërveprime. Edhe në Kukës udhëheq PD, pasi Flamur Hoxha dhe Isuf Çelaj kanë 90,705 ndërveprime në Facebook, kundrejt 80,480 të Petrit Malaj dhe Gerta Durakut.


