Policia zbardh bilancin e protestës në Tiranë, dy efektivë të plagosur dhe 24 persona të proceduar

24 persona janë proceduar penalisht nga Policia e Tiranës për veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, gjatë protestës janë dëmtuar edhe dy punonjës policie.
Ndërkohë, gjatë 48 orëve të fundit janë plotësuar 28 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në to. Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Njoftimi:
Tiranë/Procedohen penalisht 24 shtetas për veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të djeshëm.
Gjithashtu, gjatë 48 orëve të fundit, vendosen 28 masa administrative në bazë të Aktit Normativ.
Gjatë tubimit të djeshëm janë dëmtuar 2 punonjës policie.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nga shërbimet e Policisë së Tiranës, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të veprimeve të kundërligjshme, gjatë tubimit të zhvilluar dje, u proceduan penalisht 24 shtetas.
Gjithashtu, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 28 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë 48 orëve të fundit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në to, si dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


