Një teknokrat për euron, Pablo Hernández de Cos pritet të pasojë Lagarde

Bota

Një teknokrat për euron, Pablo Hernández de Cos pritet të

Ish-guvernatori i Bankës së Spanjës, Pablo Hernández de Cos, ka siguruar mbështetjen e udhëheqësve të Eurozonës për të pasuar Christine Lagarde në krye të Bankës Qendrore Europiane (BQE) në vitin 2027, raporton CNBC.

Emërimi i tij kërkon ende miratimin formal, pas konsultimeve me Parlamentin Europian dhe Këshillin Drejtues të BQE-së, megjithëse asnjëri prej tyre nuk ka të drejtën e vetos. Vendimi vjen pas negociatave intensive politike për drejtimin e institucionit për një mandat tetëvjeçar.

De Cos, 55 vjeç, është ekonomist me një karrierë të gjatë në bankat qendrore. Ai ka drejtuar Bankën e Spanjës nga viti 2018 deri në qershor 2024 dhe Komitetin e Bazelit për Mbikëqyrjen Bankare në periudhën 2019-2024. Që prej korrikut 2025, ai është drejtor i përgjithshëm i Bankës për Rregullime Ndërkombëtare (BIS).

Lagarde ka njoftuar se do të largohet nga detyra më 7 shkurt 2027, pas më shumë se shtatë vitesh në krye të BQE-së.

Një drejtues pragmatist

Analistët e konsiderojnë De Cos një mbështetës të moderuar të politikës monetare lehtësuese, por edhe një pragmatist, të gatshëm të përshtatet me zhvillimet ekonomike.

Ai mbështeti rritjen e fortë të normave të interesit gjatë krizës energjetike që pasoi pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022, por edhe normat negative të interesit dhe paketën e stimujve monetarë të ndërmarrë nga Mario Draghi në vitin 2019.

Emërimi i një teknokrati me përvojë në bankat qendrore shihet nga analistët si një sinjal i angazhimit të Europës për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe pavarësisë së politikës monetare.

Kandidatura e spanjollit është favorizuar edhe nga ecuria e mirë ekonomike e vendeve të Europës Jugore. Portugalia, Italia, Spanja dhe Greqia, dikur epiqendra e krizës së borxheve sovrane, janë shndërruar në disa prej motorëve kryesorë të rritjes së Eurozonës, ndërsa Gjermania po përballet me vështirësi në industri.

Sfidat e drejtuesit të ri

De Cos pritet të marrë drejtimin e BQE-së në një periudhë të karakterizuar nga rikthimi i inflacionit, divergjencat ekonomike dhe pasiguria politike.

Inflacioni në Eurozonë arriti në 4% në tetor, niveli më i lartë në më shumë se tre vjet, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të energjisë si pasojë e luftës në Iran.

BQE-ja duhet të parandalojë transmetimin e kostove të larta të energjisë te pagat dhe çmimet e tjera, pa dëmtuar më tej rritjen ekonomike.

Një tjetër sfidë është situata financiare e Francës, ekonomisë së dytë më të madhe të Eurozonës, ku borxhi publik, deficiti i lartë buxhetor dhe tkurrja ekonomike kanë rritur kostot e huamarrjes.

Drejtuesi i ri do të trashëgojë gjithashtu projekte të rëndësishme, përfshirë euron dixhitale dhe integrimin e tregjeve europiane të kapitalit.

Në agjendën e BQE-së do të jenë edhe rreziqet nga ekspozimi në rritje i investitorëve europianë ndaj ekonomisë amerikane, zhvillimet në inteligjencën artificiale dhe kërcënimet kibernetike. / CNBC

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion