Nafta në kulmin e konsumit? Zhdoganohen mbi 78 mijë ton në Gusht

Aktualitet

1657095428_naftanew-1024x578.jpg
Importi i karburanteve ka arritur shifrën më të lartë gjatë këtij viti në muajin Gusht, çka lidhet drejtpërdrejt edhe me sezonin turistik, ardhjen e emigrantëve si dhe rritjen e lëvizshmërisë.

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave,  tregojnë se nëse 5 muajt e parë të vitit janë regjistruar vlera importi në një mesatare prej rreth 50 mijë ton në muaj, nga Qershori dhe në vijim zhdoganimet e karburanteve kanë ardhur në rritje, duke arritur kulmin në Gusht.

Konkretisht gjatë muajit që lamë pas u zhdoganuan 78.4 mijë ton karburante nga 73.7 mijë ton që u importuan në Gusht 2025, duke rezultuar me një rritje prej 4730 mijë ton.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së zhdoganimeve dhe konsumit gjatë sezonit veror, shifra totale si 8 mujor mbetet më e ulët se ajo e një vitit më parë, për shkak të rënies së importeve në muajt e parë të vitit si rrjedhojë e rritjes së çmimeve.

Nëse do të bëjmë një krahasim si 8-mujor, vihet re se për Janar-Gusht 2026 janë importuar 486,4 mijë ton karburante dhe rreth 3469 ton më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, muaji Mars dhe në vijim solli një rritje të ndjeshme të çmimit të naftës dhe benzinës në vend,  duke arritur në nivele rreth 224 lekë/litër,  duke nxitur vënien në funksion të Bordit të Transparencës me qëllim përcaktimin e çmimeve tavan të shitjes me shumicë dhe pakicë.  

Çmimet u stabilizuan në muajin Qershor dhe Korrik, për t’iu rikthyer sërish rritjes në muajin Gusht, duke vijuar edhe përgjatë muajit Shtator, çka solli sërish aktivizimin e Bordit të Transparencës.

Sa i takon mallrave të tjerë të akcizës,  vihet re se për muajin Gusht importi i cigareve është në të njëjtën nivel si një vit më parë, ndërsa kafeja dhe birra regjistrohet me rritje. .

Konkretisht janë importuar 345 ton cigare,  643  ton kafe,  me rritje prej 62 ton në raport me Gusht 2025.

Importi i birrës gjithashtu është rritur, ku u zhdoganuan 8.3 mijë tonë, nga 7.2 mijë ton në Gusht të 2025.

Ndërsa si 8-mujor, importi i cigareve, kafesë dhe birrës rezultojnë në rritje të lehtë në raport me një vit më parë./Scantv.al/

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion