"Po humbisja kontaktin me realitetin”, Françeska Murati zbulon periudhën e vështirë: Jam penduar...

Françeska Murati ka ndarë me ndjekësit një anë më pak të njohur të jetës së saj, duke folur hapur për vështirësitë emocionale me të cilat është përballur dhe ndikimin që kanë pasur lajmet e pavërteta në gjendjen e saj psikologjike.
Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania” iu përgjigj një pyetjeje në rrjetet sociale, ku u pyet për gjendjen e saj aktuale dhe vendimin për të cilin është penduar më shumë. Përgjigjja e saj zbuloi se pas një periudhe të vështirë, ajo ka arritur të reflektojë mbi shumë gjëra.
Françeska tregoi se kishte kaluar një kohë kur ndihej e shkëputur emocionalisht, ndërsa përpiqej të vazhdonte përditshmërinë sikur gjithçka të ishte normale.
“Ishte një periudhë që nuk po ndihesha aspak mirë. Isha thjesht në autopilot, duke vazhduar përpara, sepse në fund të fundit, çfarë do bësh tjetër?”, u shpreh ajo.
Një nga faktorët që ndikuan në këtë gjendje, sipas saj, ishin publikimet e vazhdueshme në portale, ku qarkullonin pretendime dhe histori të pavërteta për jetën e saj. Situata bëhej edhe më e vështirë nga fakti se familjarët i dërgonin vazhdimisht këto lajme.
Çdo ditë prindërit më dërgonin portale, lajme dhe shpifje të reja. Çdo ditë një histori tjetër, një gënjeshtër tjetër”, rrëfeu Murati, duke treguar se presioni kishte ndikuar aq shumë tek ajo, sa kishte nisur të humbiste edhe kontaktin me realitetin.
Përveç kësaj periudhe, ish-banorja foli edhe për një nga gabimet që mendon se ka bërë gjatë jetës: përpjekjen e vazhdueshme për të përmbushur pritshmëritë e të tjerëve, duke lënë në plan të dytë dëshirat dhe lumturinë e saj.
Sot, ajo duket se e sheh ndryshe këtë çështje, duke kuptuar se është e pamundur t’i kënaqësh të gjithë. Edhe kur përpiqesh të mos lëndosh apo zhgënjesh askënd, gjithmonë do të ketë persona të gatshëm të të gjykojnë.
Në përfundim, Françeska zgjodhi të përcillte edhe një mesazh për ndjekësit, duke i nxitur të mos e kushtëzojnë jetën me mendimin e të tjerëve dhe të mos heqin dorë nga lumturia për të fituar miratimin e dikujt.
“Njerëzit që janë vërtet të lumtur me jetën e tyre nuk e kalojnë kohën duke u përpjekur të shkatërrojnë jetën e dikujt tjetër”, përfundoi ajo.


