Mbyllen hetimet për Eugert Sinon, SPAK e dërgon në gjykatë si kreu i rrjetit të trafikut të arm'ëve
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK këtë të mërkurë ka marrë vendimin dhe ka dërguar për gjykim Eugert Sinon. Sipas njoftimit të SPAK, nga hetimet është provuar se Sino, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, kanë arritur të sigurojnë një sasi të konsiderueshme armësh zjarri.
Në përfundim të hetimeve gjithashtu është konkluduar se i Sino, ka pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 203 të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit:
1. Eugert Sino, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në automjete, në mjedise publike, si dhe në sasi të mëdha, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/1/2, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, të parashikuar nga nenet 278/3, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”
“Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal, në formën e drejtimit.
Nga tërësia e hetimeve të kryera ka rezultuar e provuar se i pandehuri Eugert Sino, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, kanë arritur të sigurojnë një sasi të konsiderueshme armësh zjarri; 5 armë të gjata/sniper, 6 armë automatike, 12 pistoleta, 17 krehër të tjera, 4 tyta armësh, si dhe sasinë prej 7820 copë fishekësh luftarakë të kalibrave të ndryshme. Sipas akt- ekspertimeve respektive ka rezultuar se armët e zjarrit dhe municionet luftarake janë në gjendje të rregullt teknike dhe mund realizojnë qitje.
Në përfundim të hetimeve është konkluduar se i pandehurit Eugert Sino, ka pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.
Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të të pandehurit kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal nr. 203 të vitit 2025, numërtimin e procedimit të ri penal, nr. 203/1 i vitit 2025, dhe vijimin e hetimeve për kryerjen e elementëve të veprave të mëposhtme penale:
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në automjete, në mjedise publike, si dhe në sasi të mëdha, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/1/2, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”;
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, të parashikuar nga nenet 278/3, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe
“Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a i Kodit Penal.
Hetimet janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë kosovare, strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.


