Lehtësim taksash për pagat mbi 200 mijë lekë, ja kush përfiton

Aktualitet

Lehtësim taksash për pagat mbi 200 mijë lekë, ja kush
Individët që kanë paga mujore bruto mbi 200 mijë lekë pritet të lehtësohen nga barra e tatimit prej 23%, në bazë të të cilës tatoheshin sot pagat mbi këtë nivel.

Në paketën e re fiskale parashikohet që pragu të rritet mbi 300 mijë lekë në muaj.

Tatimi 23% tashmë do të zbatohet mbi pagat bruto mbi 300 mijë lekë deri në 700 mijë lekë. Për pagat bruto mbi 700 mijë lekë vendoset një normë e re e lartë tatimi prej 32%.

Këto parashikohen në paketën e re fiskale në ligjin nr. 29, datë 30.03.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Sipas relacionit të financave, ndryshimet e propozuara synojnë përshtatjen e strukturës progresive të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi. Ato parashikojnë rishikimin e formulës dhe shkallës progresive të tatimit mbi të ardhurat personale (TAP) nga punësimi (neni 24, pika 1), ku parashikohet lehtësimi i barrës tatimore për shtresën e mesme dhe profesionistët e kualifikuar përmes rritjes së pragut të fashës së parë tatimore (që tatohet me normën 13%) nga paga bruto 200 000 lekë/muaj në 300 000 lekë/muaj (bazë tatimore vjetore nga 2 040 000 lekë në vit në 3 240 000 lekë në vit pasi është aplikuar zbritja tatimore në bazë të nenit 22 në një shumë prej 360 000 lekë në vit),

zbatimi i normës tatimore prej 23% për fashën e pagës bruto nga 300 001 lekë/muaj deri në 700 000 lekë/muaj (bazë tatimore vjetore nga 3 240 001 lekë deri në 8 040 000 lekë), si dhe vendosja e një shkalle të tretë progresive me normë marxhinale 32% për individët me të ardhura më të larta, konkretisht për pagat bruto mbi 700 000 lekë/muaj (bazë tatimore vjetore mbi 8 040 000 lekë në vit).

Ky ndryshim synon një shpërndarje më të drejtë dhe të balancuar të barrës tatimore mbi të ardhurat nga punësimi, duke lehtësuar tatimin për shtresën e mesme dhe profesionistët e kualifikuar, si dhe duke forcuar progresivitetin e sistemit në përputhje me aftësinë paguese të individëve, thuhet në relacion.

Në nenin 24 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1 ndryshohet si më poshtë:

“1. Të ardhurat e tatueshme nga punësimi tatohen me normat progresive të mëposhtme:

Baza tatimore vjetore Norma tatimore

0 – 3 240 000 lekë 13%

3 240 001 – 8 040 000 lekë 23%

Mbi 8 040 000 lekë 32%”

2. Pika 3 ndryshohet si më poshtë:

“3. Të ardhurat nga investimi tatohen me normën 15%.”

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion