'Largimi nga PS, akt i guximshëm', gazeta belge artikull për Marjana Koçekun: Zëri politik i një brezi që kërkon ndryshim!

Gazeta prestigjioze belge “De Standaard” i ka kushtuar një intervistë dhe profil të zgjeruar deputetes së pavarur Marjana Koçeku, duke e cilësuar atë si një nga figurat e pakta politike që vazhdojnë të gëzojnë besueshmëri në Shqipëri.
Në artikullin e publikuar më 26 tetor 2026, me autor gazetarin Jasper Abrahams, gazeta analizon protestat e vazhdueshme në Shqipëri, krizën e besimit ndaj elitës politike dhe rolin e deputetes 25-vjeçare në mbështetje të lëvizjes studentore.
“Të rinjtë shqiptarë që protestojnë prej muajsh kundërshtojnë çdo formë hierarkie apo strukture partiake. Megjithatë, Marjana Koçeku është shndërruar pothuajse natyrshëm në zërin politik të një brezi”, shkruan De Standaard.
Gazetari përshkruan se besimi ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe elitës politike shqiptare ka arritur nivelet më të ulëta.
Duke iu referuar largimit të Koçekut nga grupi parlamentar socialist në qershor, gazeta e cilëson këtë vendim si një akt guximi përballë sistemit politik të dominuar prej dekadash nga dy forcat kryesore.
“Fakti që Koçeku pati guximin t’i kthente shpinën sistemit partiak shqiptar i ka sjellë respektin e shumë njerëzve, veçanërisht të rinjve protestues”, shkruan gazetari.
Në intervistë, Koçeku shpjegon se vendimi për largimin nga mazhoranca ishte personal dhe i marrë pa u konsultuar me askënd.
“Nuk u konsultova me askënd. As me familjen, as me Ramën. Vendimin e mora vetë, e publikova në rrjetet sociale dhe për disa ditë u zhduka krejtësisht”, shprehet ajo.
Nga malet e Dukagjinit në Parlamentin shqiptar
Një pjesë e rëndësishme e reportazhit i kushtohet historisë personale të Koçekut, prejardhjes nga një zonë e izoluar malore në veri të Shqipërisë dhe angazhimit të saj në sipërmarrjen ekologjike.
Gazeta rikujton historinë e saj të pasqyruar më parë nga Financial Times, iniciativën Neomalësorja dhe përpjekjet për mbrojtjen e lumit Drin.
“Jam rritur nën dritën e qirinjve dhe nën yje. Kjo nuk është fantazi apo romantizim. Kështu ishte jeta atje”, rrëfen deputetja.
Sipas De Standaard, pikërisht ndjenja e përgjegjësisë ndaj komunitetit dhe mbrojtjes së natyrës e shtyu Koçekun drejt politikës, ndërsa përplasja me politikat mjedisore të qeverisë dhe kundërshtimi i projekteve në zona të mbrojtura shënuan pikën e kthesës.
“Kur shpërtheu protesta, kuptova se nuk kishim të bënim thjesht me indiferencë politike, por me pengim aktiv. Nuk doja të isha pjesë e kësaj”, deklaron Koçeku.
“Koha për dialog ka kaluar. Është koha që Kryeministri të japë dorëheqjen”
Në qendër të intervistës është qëndrimi i deputetes ndaj protestave dhe thirrjeve të Kryeministrit për dialog.
“Rama shpresonte ta çmontonte protestën përmes frikësimit dhe presionit. Tani papritur bën thirrje për dialog, por ka pasur 13 vite kohë për këtë. Jo, tani nuk është më koha për dialog. Tani është koha për dorëheqje”, shprehet Koçeku.
Deputetja denoncon gjithashtu përdorimin joproporcional të forcës nga policia gjatë protestave.
“Dhuna policore është krejtësisht disproporcionale. E kam parë me sytë e mi: policë që përdornin shkopinj gome, efektivë pa identifikim, pa uniformë apo shenja dalluese, rrëmbime njerëzish në rrugë. Kjo është krejtësisht jashtë çdo proporcioni”, deklaron ajo.
“Një nga politikanët e paktë që vazhdojnë të gëzojnë besueshmëri”
Në përfundim të profilit, De Standaard vlerëson se qëndrueshmëria e qëndrimeve të Koçekut e ka bërë atë një nga figurat e pakta politike që ruajnë besueshmërinë në Shqipëri.
Megjithatë, deputetja thekson se nuk e konsideron veten udhëheqëse të protestuesve, por mbështetëse të tyre.
“Kontributi im është t’i mbështes, ta bëj zërin e protestës së tyre të dëgjohet më fort, si në nivel institucional, ashtu edhe në forma të tjera”, shprehet Koçeku.


