"Kush fiton më shumë, paguan më shumë", Rama jep lajmin për bukën, qumështin, mishin

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në Kuvend disa nga ndryshimet që parashikohen në Paketën Fiskale, në kuadër të diskutimeve për Buxhetin e vitit 2027.
Gjatë fjalës së tij, Rama bëri të ditur se një nga masat kryesore është ulja e TVSH-së në 6% për 54 produkte të shportës bazë, duke përfshirë bukën, qumështin, mishin, miellin, vajin, vezët, frutat, perimet dhe ushqimet bazë për foshnjat.
Kreu i qeverisë e cilësoi këtë një lehtësi për konsumatorët, duke argumentuar se reformat dhe puna e bërë kanë krijuar mundësi për të ndërmarrë masa që më parë nuk mund të realizoheshin.
“Ne vijmë këtu për të miratuar uljen e TVSH-së në 6% për 54 produktet e shportës”, deklaroi Rama.
Një tjetër ndryshim i paralajmëruar lidhet me tatimin mbi të ardhurat dhe shtresën e mesme. Sipas kryeministrit, rreth 32 mijë tatimpaguesve të kësaj kategorie do t'u ngrihet pragu, me synimin për t'u krijuar më shumë lehtësi financiare.
Rama u ndal edhe te pagat e larta, duke deklaruar se për pagat mbi 700 mijë lekë do të aplikohet një normë taksimi prej 30%. Ai shpjegoi se kjo normë lidhet me kombinimin e tatimit 15% mbi fitimin e kompanisë dhe 15% mbi dividendin.
Sipas tij, kjo masë synon të shmangë rastet kur pronarët e kompanive deklarojnë të ardhurat e tyre si paga ose si të ardhura të një biznesi të vogël.
Kryeministri foli gjithashtu për politikën fiskale ndaj bizneseve të vogla, duke deklaruar se deri në vitin 2029 tatimi për këtë kategori do të jetë zero.
“Do të jemi i vetmi vend”, u shpreh Rama, duke iu referuar përjashtimit nga tatimi për biznesin e vogël.
Ndryshimet e prezantuara pritet të jenë pjesë e Paketës Fiskale që shoqëron projektbuxhetin e vitit 2027, i cili po diskutohet në Kuvend.


