"Do të rrisni më shumë çmimet dhe taksat për shqiptarët", Berisha kundër buxhetit 2027

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se po përgatit një buxhet që, sipas tij, favorizon interesat e grupeve të caktuara dhe rëndon më tej qytetarët shqiptarë përmes rritjes së taksave dhe çmimeve.
Gjatë fjalës së tij, Berisha e cilësoi projektbuxhetin si “buxhet të vjedhjes”, ndërsa kundërshtoi paketën e re fiskale, duke pretenduar se ajo do të sjellë pasoja negative për ekonominë e familjeve shqiptare.
Kreu i PD-së ngriti gjithashtu akuza për lidhje të qeverisë me krimin e organizuar, duke iu referuar edhe deklaratave të Suel Çelës, i cili, sipas Berishës, ka deklaruar se paguan paga për ministra. Ai kritikoi edhe treguesit ekonomikë, duke argumentuar se rritja e të ardhurave nuk ka sjellë përmirësim të fuqisë blerëse të qytetarëve, për shkak të nivelit të lartë të çmimeve në Shqipëri.
Reagimi i plotë:
“Ju mblidheni këtu si banda e Lalzit.
A e kuptoni ju se çfarë përshtypje keni bërë te shqiptarët ju?
A e kuptoni ju se çdo gjë mund të dukeni, por zyrtarë nuk jeni më?
A e kuptoni që Padrino të gjithë fjalën e kishte kundër jush se po i vjen fundi?
A e kuptoni ju se Suel Çela deklaroi se paguan rroga ministrash, dhe më duket se të ka paguar ty, a të ka paguar apo jo?
A e kuptoni ju që nuk keni asnjë të drejtë morale të merreni me buxhetin?
Ju nuk keni legjitimitet. Ju keni humbur çdo legjitimitet.
Ju keni dalë nga zgjedhje të plaçkitura dhe keni mbrojtur korrupsionin.
A e kuptoni ju që mullari i zi në raportin e Bashkimit Evropian qëndron Lubia dhe Palloshi i Gjatë?
Çfarë buxheti do miratoni ju?
Dhe mburreni, 10 miliardë vjedhje. 10 miliardë vjedhje me paketën fiskale të ndëshkimit të shqiptarëve.
A jetoni në Shqipëri apo jo?
A e dini ju se EUROSTAT deklaroi dje se për shqiptarët, të ardhurat janë rritur, varfëria është shtuar?
A e dini o qytetarë pse ka ndodhur kjo?
Sepse janë pjesëtuar prodhimi i përgjithshëm për frymë me gjithsej 2 milionë e 200 mijë shqiptarë.
Por po t’i krahasosh me çmimet, shqiptarët janë më të varfrit në Evropë.
Në qoftë se maqedonasit blejnë me çmime që janë 60 për qind e çmimeve evropiane, shqiptarët blejnë me çmime që janë 110 për qind të çmimeve evropiane.
Po pse?
Sepse Padrino me kartelet e drogës ka zhytur Shqipërinë në narkoeuro, narkodollarë.
A e dini ju pse janë rritur të ardhurat?
Se raporti i lekut me dollarin është në qiell.
Pra, çfarë do t'u bëni ju më keq shqiptarëve sesa tani, t'ua rrisni edhe taksat?
Se tani t'ua rrisni edhe më tej çmimet.
Çmimet janë 110 për qind të mesatares evropiane.
Tani me këtë paketë do t'i përzini prapë.
Të parët që duhen përzënë nga Shqipëria jeni ju, po nuk do përziheni, do shkoni atje ku e keni vendin.”


