Kujdes! Pas problemeve me Outlook dhe Teams, vjen paralajmërimi për mashtrime kibernetike

Problemet me shërbimet Outlook, Teams dhe Azure në disa rajone të botës kanë sjellë një paralajmërim edhe në Shqipëri. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve të tregojnë kujdes nga mashtrimet që mund të shfaqen gjatë ndërprerjes së këtyre shërbimeve.
Sipas informacionit të raportuar nga Microsoft, problemet janë shkaktuar nga ngarkesa e lartë në infrastrukturën e kompanisë dhe nuk kanë lidhje me ndonjë sulm kibernetik.
Megjithatë, AKSK paralajmëron se mashtruesit mund ta shfrytëzojnë këtë situatë duke u ofruar përdoruesve ndihmë të rreme për të rikthyer aksesin në llogaritë e tyre.
Autoriteti u kërkon përdoruesve të bëjnë kujdes veçanërisht nga:
Email-et që kërkojnë rivendosjen e fjalëkalimit të Microsoft.
SMS-të që njoftojnë se llogaria është bllokuar dhe kërkojnë veprime të menjëhershme.
Telefonatat nga persona që prezantohen si punonjës të mbështetjes teknike dhe ofrojnë ndihmë për rikthimin e aksesit.
Për të shmangur mashtrimet, AKSK këshillon qytetarët të mos klikojnë lidhje të dyshimta për hyrjen në llogari apo ndryshimin e fjalëkalimit. Shërbimet duhet të aksesohen vetëm përmes faqeve dhe aplikacioneve zyrtare.
Gjithashtu, përdoruesit nuk duhet t'u japin personave të tjerë fjalëkalime, kode verifikimi apo të dhëna konfidenciale. Nuk duhet të lejojnë as persona të paverifikuar të kenë akses në kompjuterët apo pajisjet e tyre.
Për punonjësit e institucioneve dhe kompanive, autoriteti rekomandon që çdo kërkesë për ndërhyrje teknike të verifikohet më parë me stafin përgjegjës të IT-së.
AKSK u kërkon gjithashtu institucioneve dhe bizneseve të informojnë punonjësit për rrezikun e këtyre mashtrimeve dhe të kontrollojnë masat për vazhdimësinë e punës. Kjo përfshin mundësinë e përdorimit të kopjeve rezervë të dokumenteve të rëndësishme, si dhe kanaleve alternative të komunikimit në rast se shërbimet nuk funksionojnë.


