Kujdes kur blini makinë, këto janë gjërat që nuk duhet t’ia thoni kurrë shitësit

Soft

Kujdes kur blini makinë, këto janë gjërat që nuk duhet

Blerja e një makine mund të kthehet lehtësisht në një situatë stresuese, veçanërisht kur përballë keni një shitës me përvojë në negociata. Për këtë arsye, disa informacione është më mirë t’i mbani për vete nëse synoni të siguroni një çmim sa më të favorshëm.

Këshilla e parë është e thjeshtë: negocioni. Shitësi kërkon të marrë çmimin më të lartë të mundshëm, ndërsa blerësi synon ta ulë atë. Negocimi duhet të bëhet me qetësi, miqësisht dhe duke pasur parasysh se shitësi zakonisht ka hapësirë për të lëvizur me çmimin.

Një nga gabimet që duhet shmangur është t’i tregoni shitësit se ju duhet urgjentisht një makinë e re. Po ashtu, mos shfaqni menjëherë entuziazëm të madh për një automjet të caktuar. Kjo mund t’i japë shitësit sinjalin se jeni pothuajse të bindur për ta blerë.

Edhe buxheti maksimal duhet të mbetet sekret. Nëse shitësi e di shumën që jeni të gatshëm të shpenzoni, mund të përpiqet t’ju ofrojë një automjet që i afrohet kufirit maksimal, ndërkohë që synimi juaj duhet të jetë të gjeni makinën më të lirë që plotëson nevojat.

Nëse mendoni ta blini me financim, këshillohet të interesoheni paraprakisht edhe në bankën tuaj për këstet dhe interesat, në mënyrë që t’i krahasoni me ofertën e shitësit.

Nëse keni një makinë të vjetër për ta dhënë si pjesë të pagesës, mos e përmendni që në fillim. Sipas këshillave, kjo mund të përdoret vetëm në fund si argument për një raund tjetër negociatash.

Gjithashtu, mos krijoni përshtypjen se duhet ta mbyllni patjetër marrëveshjen atë ditë. Nëse çmimi nuk ju bind, largohuni. Mundësia që shitësi t’ju ofrojë një ulje të fundit ekziston, ndërsa nëse kjo nuk ndodh, alternativa të tjera ka gjithmonë.

ME TE LEXUARAT