Kroçera luksoze kthehet në “parajsë” për të rriturit! 5 800 pasagjerë nisen për 7 ditë me festa dhe aktivitete int*me

Bota

Kroçera luksoze kthehet në “parajsë” për

Një kroçerë e pazakontë, që pritet të mbledhë mijëra persona nga e gjithë bota, do të niset më 9 nëntor nga PortMiami në Florida, me destinacion Karaibet. Bëhet fjalë për Wonderland, një udhëtim shtatëditor i dedikuar ekskluzivisht të rriturve dhe komunitetit të njohur si “lifestyle”.

Kroçera do të zhvillohet në bordin e anijes gjigante luksoze Wonder of the Seas, në pronësi të Royal Caribbean. Sipas organizatorëve, në bord do të jenë 5 802 pasagjerë, të gjithë mbi 21 vjeç.

Udhëtimi organizohet nga kompania Bliss Cruise dhe konsiderohet një prej eventeve më të mëdha të këtij lloji. Termi “lifestyle” përdoret për të përshkruar marrëdhëniet jo-monogame me pëlqimin e të gjithë personave të përfshirë, përfshirë çiftet që praktikojnë shkëmbimin e partnerëve apo marrëdhëniet e hapura.

Përgjatë shtatë ditëve, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të marrin pjesë në festa tematike, aktivitete sociale, seminare, evente BDSM dhe ambiente ku lejohet nudizmi. Disa prej hapësirave të anijes, përfshirë solariumin prej rreth 3 250 metrash katrorë dhe qendrën e konferencave, do të përshtaten posaçërisht për aktivitetet e të rriturve.

Megjithatë, organizatorët kanë vendosur një sërë rregullash strikte. Pëlqimi i ndërsjellë është kushti kryesor dhe çdo refuzim duhet respektuar. Aktivitetet intime lejohen vetëm në kabinat private ose në zonat e përcaktuara, ndërsa nudizmi është i kufizuar në ambiente të caktuara.

Edhe gjatë ndalesave në portet turistike, pasagjerët duhet të respektojnë ligjet lokale. Shkelja e rregullave mund të çojë deri në përjashtimin e tyre nga kroçera në ndalesën e ardhshme.

Sipas CNN, udhëtimet e këtij formati po bëhen gjithnjë e më popullore, duke bërë që organizatorët të kalojnë nga anijet e vogla drejt kroçerave gjigante. Rreth 87 për qind e rezervimeve për Wonderland janë realizuar nga qytetarë amerikanë, ndërsa pjesa tjetër vjen nga Kanadaja dhe vende të tjera. Në bord pritet të përfaqësohen 47 kombësi.

Më shumë se gjysma e udhëtarëve janë të moshës 45 deri në 59 vjeç. Sa i përket çmimeve, rezervimet e kryera në dhjetor 2024 nisnin nga 1 630 dollarë për person për një kabinë të brendshme, ndërsa suita më luksoze, Royal Loft, kalonte 21 mijë dollarët për person.

Organizatorët theksojnë se qëllimi nuk është krijimi i një ambienti pa rregulla, por ofrimi i një përvoje të veçantë turistike për të rriturit, ku siguria, respekti dhe pëlqimi janë mbi gjithçka.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion