Vendos gjykata: Milorad Dodik nuk është më president i Republika Sërpska

Kosovë&Rajon

Vendos gjykata: Milorad Dodik nuk është më president i Republika

Milorad Dodik nuk është më president i Republikës Sërpska. Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bosnjë e Hercegovinës (KQZ) për ta hequr mandatin e tij është bërë përfundimtar pas konfirmimit nga Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës,  më 18 gusht.

Kjo e fundit e hodhi poshtë ankesën e avokatit të Dodikut ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bosnje dhe Hercegovinës. Ky akt juridik pason një dënim të formës së prerë që i është shqiptuar Dodikut për shkelje të ligjit zgjedhor dhe për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.

Në përputhje me Ligjin Zgjedhor të Bosnjë e Hercegovinës, KQZ-ja është e detyruar të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e Republikës Sërpska brenda 90 ditëve nga heqja e mandatit. Mandati i presidentit të ri do të zgjasë deri në zgjedhjet e përgjithshme të planifikuara për tetorin e vitit 2026.

Dodik më herët gjatë ditës ka paralajmëruar mbajtjen e një referendumi në Republikën Sërpska për të sfiduar autoritetet qendrore të Bosnjë e Hercegovinës. Ai ka akuzuar përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, për ndërhyrje të papranueshme dhe ka kërkuar mbështetje nga Serbia dhe Rusia. Gjithashtu, ai ka paralajmëruar se do të drejtohet në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës dhe, nëse është e nevojshme, në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas aktgjykimit përfundimtar të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Dodiku është dënuar sepse ka nënshkruar publikimin e ligjeve, të cilat më herët janë shfuqizuar nga përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt, e që kanë paraparë moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republikës Sërpska.

Ekipi i avokatëve të Dodikut ka kërkuar nga Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës që dënimi me burg prej një viti të zëvendësohej me gjobë - një mundësi që e parasheh Kodi Penal i këtij vendi - dhe gjykata e ka pranuar atë kërkesë.

Kështu, Dodik do të paguajë rreth 36.500 marka (më shumë se 18.000 euro) brenda një viti, përkatësisht 100 marka (50 euro) për çdo ditë burgu.

ME TE LEXUARAT