Sulmuan me bomba dore Komisionin Zgjedhor të Mitrovicës, dënohen me 12 vite burg tre të akuzuarit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 12 vite burg tre persona të akuzuar për sulmin me bomba dore ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, i cili ndodhi në dhjetor 2022. Millun Millenkoviq – Llune dhe Aleksandar Vllajiq u dënuan me nga pesë vjet burgim secili, ndërsa Dejan Pantiq me dy vjet. Për Millenkoviqin dhe Vllajiqin do t’u llogaritet edhe koha që kanë kaluar në paraburgim.
Ky sulm me bomba dore dhe mjete shpërthyese kishte si qëllim, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Kosovës në dhjetor 2023, “destabilizimin ose shkatërrimin e strukturave politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës”. Sipas prokurorisë, me këtë akt terrorist janë rrezikuar seriozisht jeta e zyrtarëve të Komisionit Zgjedhor dhe e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Në seancën e parë gjyqësore, mbajtur në janar 2024, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Millun Millenkoviq – Llune u konsiderua organizatori kryesor i sulmit. Ai u arrestua më 13 qershor 2023 në Mitrovicën e Veriut, dhe pas arrestimit, autoritetet kosovare raportuan se ai ishte një nga udhëheqësit e një grupi kriminal të quajtur “Mbrojtja Civile”, i përfshirë në sulme dhe terrorizëm në rajon.
Arrestimi i tij nxiti tensione të mëdha në veri, përfshirë ndezjen e sirenave të alarmit dhe grumbullime të qytetarëve serbë, të cilët përdorin këto sirena për të mobilizuar komunitetin e tyre në rast të krizave. Gjatë këtij periudhe, pati edhe përplasje mes policisë kosovare dhe qytetarëve serbë.
Aleksandar Vllajiq u akuzua për rolin e tij në këtë sulm, por edhe për spiunazh, pasi dyshohet se ka mbledhur dhe transmetuar informacion sekret për Agjencinë e Sigurisë së Serbisë (BIA). Ai pranoi fajësinë për spiunazhin, por mohoi përfshirjen në sulmin ndaj Komisionit Zgjedhor.
Dejan Pantiq, ish-polic kosovar, u arrestua më 9 dhjetor 2022 në pikën kufitare të Jarinjës dhe u mbajt në arrest shtëpiak. Ai është i dyshuari që hodhi bombat në zyrat e KQZ-së.
Prokuroria gjithashtu ngriti akuza ndaj Miomir Vakiq, i cili u lirua për mungesë provash. Sipas prokurorisë, ai kishte ndihmuar në koordinimin e sulmit përmes mesazheve me kod, në të cilat përdornin shprehje si “hidhuni ndonjë mollë” për të sinjalizuar vendndodhjen e policisë dhe përdorimin e bombave.
Ky rast thekson tensionet serioze etnike dhe politike në veri të Kosovës, ku grupet serbe lokale kanë kryer sulme me qëllim minimin e institucioneve të Kosovës dhe krijimin e pasigurisë në këtë zonë. Arrestimet dhe dënimet synojnë t’i japin fund këtyre aktit terrorist dhe të sigurojnë rendin dhe ligjin në pjesën veriore të vendit.


