Vijon seria e vjedhjeve në Korçë, grabitet një tjetër biznes, policia në kërkim të autorëve

Një tjetër vjedhje është regjistruar në qytetin e Korçës, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e bizneseve, veçanërisht në zonat periferike.
Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të mesnatës në një dyqan në lagjen nr. 16, ku persona ende të paidentifikuar kanë thyer xhamin e objektit dhe kanë hyrë brenda.
Sipas kallëzimit të bërë nga pronarja e biznesit, autorët kanë marrë rreth 1 milion lekë të vjetra, si dhe disa steka me cigare, përpara se të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas denoncimit, shërbimet e Policisë së Korçës kanë mbërritur në vendngjarje, ku kanë kryer veprimet e para hetimore. Janë administruar gjurmë që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve, ndërsa janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë.
Ky është një tjetër rast në serinë e vjedhjeve të regjistruara së fundmi në Korçë, kryesisht në biznese të vendosura në lagjet periferike. Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


