Shpërthejnë sërish tensionet, ushtria serbe po përgatitet që të mësyjë në Veri të Kosovës, Rusia i hedh “benzinë zjarrit”

Kosovë&Rajon

Shpërthejnë sërish tensionet, ushtria serbe po përgatitet

Një konflikt në rritje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po kërcënon të bëhet një krizë e madhe për SHBA-të dhe liderët perëndimorë, të cilët tashmë po i përgjigjen luftës më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Me një luftë të ndezur në Ukrainë, Uashingtoni  dhe BE po përpiqet të lundrojë me shkathtësi një seri përplasjesh të dhunshme dhe tensionesh në valë në shtetin e pavarur të Kosovës, të cilat mbeten të pazgjidhura më shumë se një muaj pas shpërthimit të konfliktit. Por kjo deri më tani nuk po mjafton pasi ditën e djeshme janë ndezur sërish tensionet mes dy vendeve. Përveç kësaj, ka reaguar dhe Kremlini duke i hedhur “më shumë benzinë” zjarrit.

Konflikti vazhdon të ziejë, frontet mbeten të ndara dhe kjo u duk në takimin e së enjtes  ku nuk pati as edhe një takim tresh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit Vuçiç dhe kryediplomatit të BE, Josep Borrell në Bruksel. Situata u tensionua sërish në momentin kur Policia e Kosovës arrestoi një serb të dyshuar për sulm ndaj KFOR-it, në protestën e 29 majit në Zveçan. Sipas policisë i arrestuari është N.O., me vendbanim në Mitrovicën e Veriut, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”.

Për arrestimin ka reaguar edhe Borrell i cili u shpreh shumë i shqetësuar për arrestimin e serbëve në Kosovë. Në një reagim në Twitter, Borrell i quajti arrestimet të paligjshme dhe shkruan se përshkallëzimi në veri po vijon dhe do bëhet edhe më i rrezikshëm. Nga ana tjetër shefi i Shtabit të Përgjithshëm i ushtrisë serbe i ka kërkuar KFOR-it të mbrojë serbët në Kosovë duke paralajmëruar se ushtria e Serbisë është gati për të ndërhyrë nëse merr urdhër nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Arrestimi i serbit

Policia e Kosovës arrestoi një serb në Mitrovicë të Veriut, nën dyshimet se ka marrë pjesë në sulmin ndaj KFOR-it. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Nenad Orlloviç, dyshohet se ka marrë pjesë në grupin që ka sulmuar ushtarët e KFOR-it më 29 maj. Nga përleshjet mes serbëve dhe KFOR-it, u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët. Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji, kur policia asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të hynin në ndërtesat komunale, pavarësisht kundërshtimeve nga serbët lokalë.

Forcat e Sigurisë së Kosovës marshim në Mitrovicën e Jugut

Gjithashtu ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë parë dje teksa kanë lëvizur në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës. Kjo lëvizje alarmoi Serbinë. Përmes një njoftimi për media nga vetë FSK, është bërë e ditur se janë zhvilluar marshimet kondicionalë taktike dhe për këtë thonë se ka qenë i njoftuar edhe komandanti i KFOR-it dhe stafi i tij që janë të vendosur në bazën e KFOR-it në Maxhunaj. FSK ka sqaruar se në kuadër të planit tre mujor të trajnimeve për muajin qershor, kanë realizuar marshimin 12 kilometra në zonën e përgjegjësisë në rajonin e Mitrovicës.

Ky marsh ka nisur nga ora 09:00 në mëngjes nga kazerma Minatori në drejtim të fshatrave Bajr, Frashër i Vogël dhe Frashër i Madh dhe kanë marrë pjesë 215 ushtarë të FSK-së. “Marshimi është realizuar duke filluar nga ora 0900L nga kazerma “Minatori” në drejtim të fshatrave Bajr, Frashër i Vogël dhe Frashër i Madh. R3K në këtë marshim ka marrë pjesë gjithsej me 215 pjesëtar. Qëllimi i këtij marshimi ka qenë mbajtja dhe përmirësimi i gatishmërisë fizike të pjesëtarëve të R3K”, thuhet në njoftim.

Serbia gati për luftë

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, gjenerali Millan Mojsilloviç, tha dje se i ka kërkuar misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të ndërmarrë masa urgjente për të mbrojtur popullatën serbe në Kosovë. Sipas tij, është e qartë se sot komuniteti ndërkombëtar nuk po përmbush obligimet e tij. “Ne kërkojmë që të ndërmerren masa urgjente për të mbrojtur popullatën serbe dhe të drejtën e tyre për mbijetesë. Kjo është lutja jonë për njësitë e KFOR-it dhe institucionet e tjera ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë dhe Metohi”, tha Mojsilloviç në një deklaratë për median.

Gjithashtu shtoi se ushtria serbe do të përmbushë të gjitha obligimet ligjore ndërkombëtare që dalin nga rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara nëse merr urdhër nga komandanti i Përgjithshëm i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të kryejë plotësisht të gjitha detyrat. “Ushtria e Serbisë, në përputhje me Kushtetutën serbe dhe Kartën e OKB-së, nëse merr urdhër nga komandanti suprem, të do kryejë të gjitha detyrat e saj në tërësi në lidhje me krizën e përgjithshme të sigurisë”, vijoi më tej Mojsilloviç. 

Perëndimi jep alarmin

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell është shprehur shumë i shqetësuar për situatën në Veri të Kosovës. Në një reagim në Twitter Borrell shkruan përshkallëzimi në veri po vijon dhe do bëhet edhe më i rrezikshëm. Ai thekson se një situatë të tillë nuk do ta tolerojnë. “Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të menaxhimit të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë”, ka shkruar ai.

Reagon Moska

Nga ana tjetër, Moska krijon diversione dhe akuzon perëndimin se po nxit qëllimisht tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Kryetarja e Këshillit të Federatës, Valentina Matvijenko, pretendon se synimi i Uashingtonit dhe Brukselit është që të shtojnë presionin ndaj lidershipit të Beogradit duke e detyruar të prishë raportet me Moskën. “Radikalët shqiptarë në Kosovë po i prijnë një konflikti të ri dramatik në rajon, ndërsa amerikanët, me ndihmën e NATO-s dhe Bashkimit Europian, po i nxisin energjikisht”, thekson zyrtarja e lartë e Rusisë.

“Ata pranuan ultranacionalistët shqiptarë për vite të tëra dhe sot kur derdhet gjak pretendojnë se janë paqeruajtës”, deklaroi Matvijenko, duke pretenduar se kjo nxjerr në pah dështimin e plotë të Perëndimit në Ballkan. Zyrtarja e afërt e Putinit, mbrojti presidentin serb Vuçiç duke thënë se përballet me presion të madh, por edhe duke aluduar se protestat kundër tij në Beograd, nxiten nga jashtë për të destabilizuar Serbinë.

ME TE LEXUARAT