Rubio mesazh urimi për 18-vjetorin e Pavarësisë: Kosova ka mbështetjen e SHBA-ve!

Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio ka uruar këtë të martë Republikën e Kosovës me rastin e 18-vjetorit të Ditës së Pavarësisë.
Në mesazhin e publikuar në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit, Rubio theksoi mbështetjen e vendit të tij ndaj Kosovës, ndërsa shtoi se pret një bashkëpunim edhe më të fortë në vitet në vijim.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ofroj urimet e mia për popullin e Republikës së Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë.
Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, dhe ne presim të zgjerojmë lidhjet ekonomike që do të rrisin mirëqenien e të dyja kombeve tona. Ne e vlerësojmë mbështetjen e Kosovës për përpjekjet e SHBA-ve në adresimin e sfidave globale dhe e mirëpresim udhëheqjen e saj si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes.
Ndërsa Kosova shënon këtë përvjetor të rëndësishëm, ne presim bashkëpunim edhe më të fortë në vitet që vijnë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë Kosovës ndërsa ajo vazhdon të ndërtojë një të ardhme të sigurt dhe të begatë.”, shkruan Rubio.
Ky mesazh urimi i Rubios vjen pasi sot Republika e Kosovës feston 18-vjetorin e Pavarësisë. Sjellim ndërmend se më 17 shkurt të vitit 2008, në orën 15:39 u shpall Pavarësia në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në seancën e asaj dite, 109 nga 120 deputetë morën pjesë në sallë.
Deklaratën e pavarësisë e lexoi kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, i cili sot ndodhet në Hagë ku po përballet me një proces gjyqësor që për shumicën e shqiptarëve është i padrejtë. Prokuroria Speciale ka kërkuar 180 vite burg në total për Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin (nga 45 vite secili).
Në mbështetje të ish-krerëve, sot në orën 14:00 në Prishtinë, platforma “Liria ka Emër” ka thirrur një protestë ku do të marrin pjesë edhe figura të larta shtetërore.


