“Pesë shtete të BE ende kundër Kosovës”/ Marta Kos: Ka lëvizje, por pengesat mbeten

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka dhënë sinjale pozitive lidhur me zhvillimet që lidhen me pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Gjatë një mbledhjeje në Parlamentin Evropian, ajo u shpreh se situata është në lëvizje dhe se ekzistojnë elemente që japin shpresë për përparim, pa dhënë megjithatë detaje konkrete.
Çështja u ngrit nga raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras, i cili kërkoi informacion mbi kontaktet dhe hapat që po ndërmerren me shtetet mosnjohëse.
Bëhet fjalë për Greqinë, Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron, të cilat vijojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës që nga viti 2008, duke mbetur një pengesë në procesin e integrimit evropian.
Edhe pse Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor 2022, procesi ende nuk ka kaluar në fazën e parë zyrtare të shqyrtimit në Këshillin e Bashkimit Evropian.
Në të njëjtën seancë u diskutua edhe mungesa e një vizite të komisionares në Prishtinë, ku Marta Kos bëri të ditur se ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet vendase dhe se vizita pritet të realizohet së shpejti, me fokus te reformat në kuadër të Planit të Rritjes.
Ndërkohë, Kosova ka përfituar 61.8 milionë euro parafinancim nga BE, ndërsa në total pritet të marrë rreth 882 milionë euro nga paketa për Ballkanin Perëndimor 2024–2027, duke u renditur ndër përfituesit kryesorë në rajon për frymë.