“Më parë e vras Albin Kurtin sesa iki nga Kosova”, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj dy personave që kërcënuan kryeministrin

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur një aktakuzë për veprën penale “Kanosje” ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Të akuzuar janë Faton Klinaku, ish-drejtues i Organizatës së Veteranëve të Luftës, dhe një person tjetër me inicialet N.S.
Sipas aktakuzës, më 29 gusht 2023, Klinaku ka bërë një postim në rrjetin social Facebook, ku shprehej në mënyrë të drejtpërdrejtë me kërcënime ndaj Kurtit, për shkak të detyrës së tij zyrtare si kryeministër. Pas reagimeve publike, Klinaku jo vetëm nuk u tërhoq, por e përsëriti deklaratën:
“Më parë e vras Albin Kurtin sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova.”
Personi tjetër i përfshirë në aktakuzë, N.S., dyshohet se ka ndjekur të njëjtën linjë kërcënimi ndaj Kurtit, duke u mbështetur në postimin fillestar të Klinakut dhe duke shtuar deklarata kërcënuese përmes rrjeteve sociale.
Ndërkohë, Klinaku ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës përmes një postimi në Facebook, ku pretendon se është informuar vetëm përmes mediave dhe se është i gatshëm të përballet në gjykatë me Albin Kurtin, të cilin planifikon ta thërrasë si dëshmitar.
Prokuroria ka bërë të ditur se çështja do të ndiqet në gjykatë dhe se të dy të pandehurit do të përballen me akuzat për nxitje frike dhe kërcënime ndaj një zyrtari të lartë të shtetit.


