Shqiptarët renditen të parët në Europë për makina luksoze me motorë të fuqishëm

Aktualitet

Shqiptarët renditen të parët në Europë për makina

Në shumicën e renditjeve europiane, Shqipëria zakonisht ndodhet në fund të listës – për cilësinë e jetesës, nivelin e të ardhurave për frymë apo shërbimet publike. Por më në fund, një renditje ku shqiptarët kryesojnë: përqindja më e lartë e makinave me motor mbi 2,000 kubikë në Europë.

Sipas të dhënave të Eurostat, 27.8% e automjeteve me naftë në Shqipëri janë me motorë më të mëdhenj se 2.0 litra. Pas Shqipërisë renditen Letonia dhe Lituania – vende ku klima është më e ftohtë dhe qytetet janë më të largëta nga njëra-tjetra.

Ironia është e qartë: rrugë të amortizuara, çmime të larta të karburantit dhe të ardhura të ulëta – por qytetet shqiptare janë të mbushura me Mercedes, BMW dhe SUV të fuqishëm. Shumica janë automjete të përdorura, të importuara nga vendet e Europës Perëndimore.

Kjo prirje lidhet me disa faktorë. Makinat me motor të fuqishëm shiten më lirë jashtë për shkak të kostove të larta të taksave dhe siguracioneve. Në Shqipëri, këto makina kanë qenë prej vitesh më të përballueshme për shumëkënd.

Ndërkohë, Europa Perëndimore ka kaluar në mjete më efikase, me ndotje të ulët dhe gjithnjë e më shumë hibride apo elektrike. Për shembull, vetëm 0.6% e makinave në Holandë kanë motorë mbi 2,000 cc – pjesa më e madhe e flotës atje është elektrike ose me benzinë.

Për momentin, duket se shqiptarët vazhdojnë të “kompensojnë” mangësitë në shëndetësi, arsim apo mirëqenie me zhurmën dhe pamjen e fuqishme të motorëve të mëdhenj.

ME TE LEXUARAT