Foto/ Brenda stanit ku fshihej Violand Braçellari, vendi i pyllëzuar ku mbeti i vrarë një polici dhe një tjetër u plagos

Aktualitet

Foto/ Brenda stanit ku fshihej Violand Braçellari, vendi i pyllëzuar

Një operacion për kapjen e një personi në kërkim në Maliq është kthyer në tragjedi për Policinë e Shtetit. Efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, 34 vjeç, mbeti i vrarë, ndërsa kolegu i tij, Edison Adri, 36 vjeç, u plagos rëndë gjatë një shkëmbimi zjarri në fshatin Lozhan.

Vizion Plus ka siguruar foto brenda stanit ku fshihej 43 vjecari Bracellar, person i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 10 vite burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Sipas të dhënave paraprake, forcat e policisë kishin lokalizuar vendndodhjen e tij dhe kishin organizuar operacionin për arrestimin.

Pas rrethimit të objektit, efektivët i kanë bërë thirrje Braçellarit të dorëzohej, por ai ka reaguar duke hapur zjarr në drejtim të uniformave blu. Nga të shtënat, efektivi Enea Mekolli u godit për vdekje, ndërsa kolegu i tij Edison Adri mbeti i plagosur rëndë. Burime pranë hetimit konfirmojnë se plumbi i ka përshkuar nofullën, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Ai u transportua fillimisht në spitalin e Korçës dhe më pas me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.

Gjatë kundërpërgjigjes së forcave të policisë, autori mbeti i plagosur dhe u vu në pranga. Fillimisht ai mori ndihmë mjekësore në Korçë dhe më pas u transferua drejt Tiranës nën masa të forta sigurie.

Stani ku jetonte autori me nënën e tij

Hetimet kanë zbuluar se Braçellari, ish-ushtarak profesionist dhe njohës i armëve të zjarrit, konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në vitin 2017 ai u dënua me 10 vite burg për trafik narkotikësh, vendim që u la në fuqi nga Apeli dhe më pas edhe nga Gjykata e Lartë në janar të vitit 2024.

Megjithatë, mbetet ende e paqartë se si 43-vjeçari ndodhej në liri, pavarësisht vendimit të formës së prerë. Emri i tij rezulton i përfshirë edhe në procedime të tjera penale. Në vitin 2024 ai u mor i pandehur për plagosje të lehtë me dashje, ndërsa në fillim të këtij viti gjykata urdhëroi njoftimin e tij për një proces gjyqësor, pasi nuk ishte gjetur në adresën e deklaruar të banimit.

Grupi hetimor po vijon veprimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa vrasja e efektivit të “Shqiponjave” konsiderohet një nga ngjarjet më të rënda që ka goditur Policinë e Shtetit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion