Letra e Kurtit, Abdixhiku kërkon qeveri nacionale të tranzicionit

Kosovë&Rajon

Letra e Kurtit, Abdixhiku kërkon qeveri nacionale të tranzicionit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar qeveri të tranzicionit me të gjitha partitë shqiptare.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media ka bërë të ditur se partia e tij nuk e pranon ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion. Njëherësh, ai tha se bashkëpunimi mes këtyre dy subjekteve është i pamundur.

Ai tha se e ndien nevojën që edhe njëherë, pas konsultimeve brenda partisë, t’i përsërisë qëndrimet që janë ngritur në letrën e kryetarit të LVV-së dërguar atij dhe LDK-së dhe të vlerësojë se bashkëpunimi mes këtyre dy subjekteve është i pamundur.

“LDK-ja, siç e dini, në zgjedhjet e 9 shkurtit ka garuar me një program të qartë dhe me qëndrime të qarta sa i takon bashkëpunimit politik. LDK-ja, për mungesë besimi dhe duke pasur parasysh stagnimin 4-vjeçar të vendit, e kam fjalën për rrezikimin e aleancave strategjike të sigurisë nacionale, rrezikimin serioz të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, sulmin ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese, mosrespektimin e vendimit të këtyre institucioneve dhe mbi të gjitha politarizimin e thellë shoqëror, e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje,” tha Abdixhiku.

Abdixhiku tutje shtoi se sot vendi është në krizë të thellë, "krizë të thellë institucionale dhe kjo kryesisht për shkak të dështimit të partisë së parë që të krijojë partneritete politike për krijimin e një shumice".

Sipas tij, zgjidhjen nga kjo bllokadë LDK-ja e konsideron si të domosdoshme të rëndësisë nacionale për Republikën e Kosovës.

“Dhe në përputhje me këtë, LDK dhe unë si kryetar i saj propozojmë nisjen e një procesi të ri politik dhe kjo zgjidhje kërkon edhe përgjegjësi, edhe unitet, po mbi të gjitha kërkon dhe vetëdije të lartë politike nacionale në vend,” tha ai.

Abdixhiku tha se në përputhje me këtë, LDK propozon nisjen e këtij procesi fillimisht konsultativ me të gjitha partitë politike shqiptare me qëllim formimin e qeverisë nacionale të tranzicionit.

“Pra, LDK po kërkon unitet gjithëshqiptar në këtë periudhë dhe formimin e qeverisë nacionale të tranzicionit. Një qeveri me afat të caktuar deri në zgjedhjen e presidentit të ri, pra program, agjendë të qartë shtetërore të politikës së brendshme dhe të jashtme pa dallim dhe mbi të gjitha krijimin e një atmosfere që edhe e emancipon skenën politike, por edhe e edukon skenën politike dhe e shëron polarizimin e tanishëm.

Për këtë, si kryetar i LDK-së, jam i gatshëm të takohem me të gjitha partitë politike shqiptare, të ndihmoj në këtë proces dhe e ftoj edhe zotin Kurti, siç i ftoj të gjithë liderët tjerë politikë, të cilët i kam njoftuar tashmë për këtë iniciativë, për një takim të radhës kurdo që ata e shohin të arsyeshme,” tha Abdixhiku.

ME TE LEXUARAT