Dështon tentativa e dhjetë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Ka dështuar për herë të dhjetë konstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari kërkoi nga subjektet politike që nuk propozuan kandidatë për Komisionin për votim të fshehtë në vazhdimin e seancës së kaluar ta bëjnë një gjë të tillë sot.
Por, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i kërkoi kryesuesit që përkundër presionit të partisë së tij të mos bëhet pjesë e shkeljes së rregullores. “Mos e bëni cirk Kuvendin”, tha ai teksa kryesuesi e paralajmëroi se nuk ka debat dhe ia ndali mikrofonin. LDK edhe këtë herë spati propozim, ashtu sikurse edhe Lista Serbe mbajti të njëjtin qëndrim dhe nuk propozoi kandidat.
Në sallë ishin të pranishëm 106 deputetë. Në votimin për komision 54 vota ishin për, 1 kundër dhe asnjë abstenim, por deputetët e tjerë nuk morën pjesë fare në votim.
Si rrjedhojë kryesuesi i kuvendit tha se është i obliguar që ta ndërpresë seancën për mungesë kuorumi. Ai tha se seanca vazhdon të hënën në orën 10:00.
Gërvalla: Bllokada e opozitës e papranueshme, presim që të fitojë arsyeja
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje nga radhët e partisë Guxo, Donika Gërvalla, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit, duke e quajtur bllokadën aktuale të papranueshme dhe të pakuptueshme nga ana e opozitës.
“Sot patëm edhe një përpjekje për të ecur dhe vazhduar përpara për të thyer bllokadën totalisht të pakuptueshme në konstituimin e institucioneve, duke filluar nga kuvendi. Kjo bllokadë është krejtësisht e papranueshme. Mosbesimin që drejtuesit e opozitës e kanë ndaj deputetëve të tyre tregon që vullneti për të bllokuar proceset është i shtyrë nga motive të cilat është lehtë, por njëkohësisht shumë vështirë të shpjegohen. Nuk e di se çfarë imagjinon opozita në ditët e saj të mira se si mund të dalim nga kjo situatë, por përpjekja jonë për të shfrytëzuar votën e fshehtë, është edhe një përpjekje tjetër me shpresën se do ta kalojmë këtë fazë”, tha ajo.
Ajo e vlerësoi të papranueshme që pengimin që sipas saj po i bëjnë në vazhdimësi partitë opozitare konstituimit të institucioneve.
“Edhe Kushtetuta, edhe Gjykata Kushtetuese, edhe Rregullorja e Kuvendit e përcaktojnë saktë se kush e propozon kryetarin e Kuvendit, nuk e vënë në diskutim propozimin për kryetar të kuvendit nga partia fituese, prandaj të gjitha këto janë filma, që duan të çojnë në blerje të kohës për të arritur diçka e që opozita duhet të na tregojë tani. A është kjo diçka për të krijuar një qeveri opozitare së bashku me Listën Serbe, apo është që pazaret mes tyre ende nuk anë sjellë rezultat apo dëshirojnë ta çojnë vendin në zgjedhjet e reja”, shtoi Gërvalla.
Sipas saj paralajmërimi i vazhdueshëm i kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi për zgjedhje të reja është një mesazh që nuk i drejtohet as Lëvizjes Vetëvendosje, as Partisë Guxo apo Alternativës, por në radhë të parë LDK-së, e cila, sipas saj, nuk ka interes për zgjedhje të reja.
“Ne nuk i synojmë zgjedhjet e reja, por edhe nuk i shmangemi atyre nëse mbeten mënyra e vetme, por nuk do të donim që qytetarin ta çonim te kutia e votimit, edhe pse ai e ka shprehur qartë vullnetin e tij më 9 shkurt. Prandaj, presim që në seancën e së hënës të fitojë arsyeja dhe të mos vazhdojë bllokada”, theksoi Gërvalla.


