25-vjeçarja që humbi jetë në Kosovë: A ishim verbuar, a ishim t’mallkuar para mallkimit të fatit tënd…

Jetlira Foniqi është 25-vjeçarja e cila u vra mbrëmjen e së dielës në Malishevë.
I dyshuar është bashkëshorti i saj i cili mbeti i plagosur ndërsa si kotiv besohet xhelozia dhe problemet mendore nga të cilat vuante ai.
Vdekja tragjike e 35 vjeçares në muajin e tetë të shtatznisë ka prekur shumë qytetarë, ndërsa policia ka bërë të ditur se ajo humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit. Sipas policisë, e ndjera u gjet e plagosur së bashku me bashkëshortin e saj 26-vjeçar në dhomën e gjumit.
Një qytetare, Fakrije Salihi, i ka dedikuar një poezi, që ka prekur shumë qytetarë. "Ngushëllimet për familjen e të ndjerës janë e pakta që mund të bëjmë në këto kohë të vështira për ta. Zoti ju qoftë forcën me përballu dhimbjen dhe mërzinë që kanë në shpirtë. Të paktën të mos heshtim. Ndoshta dhunës do t’i humbë fara një ditë dhe lutem nga zemra që të mos përsëriten më këto raste" shkruan ajo.
Fakrije Salihi thotë se të ndjerën, as familjen e saj nuk e njeh, "por sa herë që ndodhin këto raste, më hiqet një copë nga shpirti. Prandaj e ndava këtë shkrim, i cili është bërë edhe për viktimat e tjera më herët".
Liri – Qofsh e fundit, bija ime
Nga Fakrije Salihi
Ah moj Lira e nënës, e vetmja për mua, dhe e shumta ndër shoqe, shoqe t’pafat, kështu sikur ti.
Po si u bë kështu, e edhe ty ta prenë fatin në mes të jetës,
t’i tmerruan me gjakun e tërur ditët ma t’mira të jetës.
Po si u bë kështu, moj bija ime, t’flasësh shqip,
e t’mos kuptonim se po flisje shqip.
Po si u bë kështu, ti t’i thuash dhunës stop,
e t’ju kthejnë prapë në gojën e ujkut?!
Ah moj bija ime,
dhimbjet e mia, ditën që kur u largove ti,
vetëm më t’thella po më bëhen,
madje po më duket se nuk ka det që i lan,
nuk ka diell që mund t’i shërojë,
as nuk ka hënë që i qetëson.
Po si t’jetoj nëna pas teje,
o Liria ime e vetme, si?
Po mendoj, moj bija ime,
e po e çortoj veten,
se sikur të ishe martuar me një burrë të besës,
ma lehtë do ishit kuptuar,
ndoshta nuk kishte me ardhë puna në gjuhën tënde me folë,
e me emrin Liri të jetoje si e burgosur,
për së gjalli.
E kthehem e çortoj veten prapë,
se me pasë pasur respekt ky burrë,
për emrin e vet,
për emrin tënd,
me pasë kuptuar vlerën dhe rëndësinë e fjalës liri,
për t’cilën kemi vuajtur brez pas brezi,
kurrë nuk e kishte bërë këtë vepër ndaj shpirtit tënd t’pafaj,
ky burrë që vetëm burrë nuk mund të quhet.
Burri i vërtetë nuk lufton me gra,
lufton me armikun,
e para armikut për familje.
Po ku vritet Liria për së gjalli,
o mjera nëna për ty!
Ku vritet nëna e fëmijëve t’vet,
e para syve t’tyre?!
Po ti je ajo që i shpëtove dorës së zezë,
të shkaut,
i shpëtove maleve t’përgjakura nga lufta,
i shpëtove dhunës
e plumbave t’panumërt,
e sot, sot në liri u përdhunove,
ti dhe emri yt,
nga dora e burrit me t’cilin ndave jetën,
ia fale gëzimin e ia njohe dhimbjet,
nga njeriu me të cilin ndaje t’mirën e t’keqen.
Njeriu t’cilit ia mbulove ndër vite t’zezat,
mangësitë e dobësitë,
frymën e egër e pabesinë.
Ky burrë për të cilin sakrifikove kaq shumë.
Ky burrë i paburrë,
t’cilit i solle fëmijë në jetë,
i solle t’mira në shtrat e n’shtëpi,
familje e farefis.
Po pse, moj bija ime, nuk i pe rreziqet ma herët,
apo rreziku ishte bërë pjesë e përditshmërisë?
Po si është e mundur që Liria t’burgoset,
për së gjalli,
o mjera nëna për ditët e përgjakura për ty.
Po si, moj bija ime, pavarësisht përpjekjeve tua,
për të shpëtuar nga faqezit e atij dorziu,
prapë u bëre viktimë e atij t’pabesi,
që flet shqip,
e të vrau pa pikën e mëshirës.
Po si u bë, moj Lira e nënës,
e edhe ti si plot shoqe tjera,
po na thani zemrën kështu…
Po përse, moj Lira ime, asnjë nuk të shpëtuam,
po si ka mundësi t’gjithë t’verbohemi,
para dhunës tënde pafund?!
Ah moj Liria ime,
jeta m’u ka bërë e zymtë pa ty
e fajit tim vetëm sa po i jap jetë më shumë,
në mendje e n’trupin tim.
A nuk dita, e çfarë nuk dita me të mësu,
për mos me t’sjellë fati në këtë situatë?!
Ah moj bija ime,
nëse kam lënë pa të mësuar ta mbrosh veten,
qofsha e fundit nënë n’këtë botë,
e unë çare vetes mos i gjetsha,
nëse t’kam mësu se para teje ka rëndësi dikush ma shumë.
Emri mu harroftë,
nëse t’kam mësu se për një burrë t’pabesë duhet me luftu.
Sytë mos m’u tershin asnjëherë,
nëse nëna nuk ka ditur me lexu trishtimin tënd, në sytë e tu.
Zemra më lëshoftë,
nëse nuk kam ditur me të thënë
se ma mirë qyqe vetëm,
se me jetu si e burgosur,
me çmendurinat e t’çmendurve,
pa lirinë e fjalës, pa qetësinë e gjumit,
pa lirinë e kafshatës së gojës,
pa lirinë me folë e me qeshë kur ta do zemra,
pa lirinë me vallëzu e me u argëtu pranë familjes,
sikur t’ishte dita e fundit e jetës.
Shoqja mos m’u gjind,
nëse nëna nuk ka ditur me t’përkrahë n’zgjidhjet dhe vendimet e duhura.
Lira ime e vetme, dhimbja ime e paskajshme,
qofsha ma e varfëra shqiptërisht,
që nuk arrita me t’mësu
se martesa nuk është gjithçka në jetë,
nëse shpirtin nuk e ke rahat.
Lira e nënës,
TI je amaneti im i fundit,
për nënat e Liriave tjera.
Mos ua ndani dëshirat n’gjysmë,
mos ua vrisni besimin familjar,
e unë qofsha nëna e fundit
që nuk arriti me të mbrojt.
Qofsha qyqja e fundit n’rrem,
e veshur me t’zeza deri në ditën e fundit,
për fatin tënd të zi.
Mallkuar qofsha që t’lash në dorë t’faqeziut,
e me gjak e shkruajti tënden histori.
Për t’gjitha Liriat, Marigonat, Dhuratat e Shkëndijat, për të gjitha nënat dhe motrat tona, t’cilat sot nuk gëzojnë fatin t’jetojnë mes nesh.
F.S. (8.1.2022)
Dhe sot na e thajti zemrën prap #jetlirafoniqi ????
Ngushëllime familjes dhe gjithë Kosovës!


