Ngërçi institucional në Kosovë/ Shkrimtarja shqiptare Lea Ypi, komenton mbi situatën politike: Në dëm të kosovarëve

Soft

Ngërçi institucional në Kosovë/ Shkrimtarja shqiptare Lea

Akademikja dhe shkrimtarja shqiptare Lea Ypi ka komentuar situatën politike dhe ngërçin institucional në Kosovë, duke e cilësuar atë si të dëmshëm për vendin.

Gjatë një ligjërate në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, të organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, Ypi foli për zhvillimet politike në botë, rajon dhe Kosovë.

Duke komentuar bllokadën institucionale, profesorja e politikës dhe filozofisë në Shkollën Ekonomike të Londrës tha se Kosova është një shtet i vogël dhe i cenueshëm, ndaj nuk duhet të ketë ndasi të tilla politike.

“Ngërçi institucional është në dëm të kosovarëve. Kosova është një vend tepër i vogël për ta pasur luksin e këtyre lloj ndasive. Është shtet shumë i vogël, shumë i ri, shumë vulnerabël edhe në aspektin e gjeopolitikës ndërkombëtare”, deklaroi Ypi.

Ajo theksoi se të gjitha palët politike kanë përgjegjësi për të shmangur bllokimin e institucioneve dhe për të bashkëpunuar në interes të vendit.

E pyetur nëse situata e brendshme politike mund të dëmtojë imazhin ndërkombëtar të Kosovës, Ypi u shpreh se fuqitë dhe faktorët ndërkombëtarë nuk i kushtojnë rëndësi të madhe zhvillimeve në vende të vogla.

“Sa për vendet e tjera, ne sot jemi, nesër nuk jemi, për ato nuk ka rëndësi fare. Janë dy pika të vogla në hartën e botës që vetëm atyre që jetojnë aty u intereson vërtet se çfarë ndodh”, tha ajo, duke iu referuar Kosovës dhe Shqipërisë.

Ypi foli gjithashtu për funksionimin e demokracisë, duke argumentuar se në Kosovë, Shqipëri, por edhe në vende të tjera, institucionet demokratike përballen me ndikimin e oligarkisë.

ME TE LEXUARAT