Këtë tetor, fjongoja rozë ka emrin tim...!

Soft

Këtë tetor, fjongoja rozë ka emrin tim...!

Tetori është muaji i sensibilizimit për kancerin e gjirit. Për vite me radhë e kam parë këtë muaj përmes fushatave, fjongove rozë, mesazheve për kontrolle dhe thirrje që gratë të kujdesen më shumë për veten. E kam parë si një muaj që na kujton se duhet të jemi të vëmendshme ndaj trupit tonë. Por këtë tetor, gjithçka ka ndryshuar. Sepse këtë herë nuk po flas për kancerin e gjirit nga ajo që kam lexuar apo dëgjuar, por nga ajo që kam jetuar në trupin dhe shpirtin tim.

Historia ime nisi në një ditë të zakonshme qershori, kur vura re një ndryshim në gjoksin e djathtë. Në fillim nuk mendova për më të keqen. Një ekzaminim i parë më foli për kiste dhe unë vazhdova jetën, siç bëjmë shpesh kur duam të besojmë se gjithçka është në rregull. Pastaj erdhi një tjetër kontroll, një tjetër mendim mjekësor, rezonanca dhe ajo ndjesia e tmerrshme kur kupton se diçka që deri dje ishte vetëm një shqetësim i vogël, mund të jetë shumë më tepër.

Më 1 gusht mora diagnozën që askush nuk dëshiron ta dëgjojë, kancer gjiri! Ka fjalë që nuk i dëgjon thjesht me veshë. Ka fjalë që të hyjnë në trup, të ndalin frymën dhe të ndajnë jetën në dy pjesë. Për mua, ajo ishte njëra prej tyre. Kam qarë! Kam pasur frikë! Kam menduar për gjithçka dhe për asgjë njëkohësisht. Por, në mes të asaj frike, dikush më tha një fjali që nuk do ta harroj. Ishte mjekja, që më tha se atë ditë mund të qaja, të bërtisja, të nxirrja gjithë dhimbjen, por nga dita tjetër duhej të merresha me zgjidhjen.

Dhe kështu bëra. Hyra në sallën e operacionit dhe pas disa orësh dola prej saj pa të dy gjinjtë. Është e vështirë ta shkruash këtë fjali. Është edhe më e vështirë ta përjetosh. Por sot, pas gjithçkaje që kam kaluar, nuk dua të flas për atë që humba. Dua të flas për atë që fitova, një mundësi për të vazhduar jetën.

Nuk i dua gjinjtë që më hoqën. Ata kishin brenda tyre një armik që duhej larguar. Dhe, sado e dhimbshme të jetë kjo histori, sot e di se trupi mund të ndryshojë, por njeriu brenda tij nuk duhet të dorëzohet. Mund të humbasësh një pjesë të trupit, mund të ndryshojë pasqyra, mund të ndryshojë mënyra se si e sheh veten, por kjo nuk do të thotë se ke humbur gruan që ke qenë.
Në këtë rrugëtim kam kuptuar edhe diçka tjetër se nuk shpëtohemi vetëm nga mjekët, megjithëse pa mjekët asgjë nuk do të ishte e mundur. Shpëtohemi edhe nga njerëzit që na qëndrojnë pranë kur ne vetë nuk dimë çfarë të bëjmë me frikën tonë. Por ndoshta kjo është një nga të vërtetat më të mëdha që më ka mësuar kjo sëmundje se forcë nuk do të thotë të mos kesh frikë; forcë do të thotë të kesh frikë dhe megjithatë, të vazhdosh.

Sot ende pres disa përgjigje që do të përcaktojnë rrugën e trajtimit tim. Nuk e di çfarë do të sjellin muajt e ardhshëm dhe nuk dua të bëj sikur e di. Ka ende ditë të vështira përpara. Por sot di diçka që nuk e dija para 1 gushtit se jeta nuk duhet marrë si diçka që na është premtuar përgjithmonë. Jeta është ajo që kemi sot, në këtë minutë, pranë njerëzve që duam.

Prandaj, këtë tetor, kur shoh fjongot rozë nëpër rrjete sociale, në ekrane, në institucione dhe në rrugë, ato për mua nuk do të jenë më thjesht një simbol sensibilizimi. Ato do të kenë fytyrën e grave që presin një përgjigje, të grave që sapo kanë marrë diagnozën, të grave që po bëjnë kimioterapi, të grave që kanë humbur flokët, gjoksin, qetësinë, gjumin, por që ende luftojnë për të mos humbur shpresën.

Dhe dua t’u them diçka veçanërisht grave që sot po shtyjnë një kontroll sepse kanë frikë se çfarë mund të zbulojnë. Mos kini frikë nga kontrolli, por nga neglizhenca. Një ekzaminim mund të të prishë një ditë, një diagnozë mund të ta ndryshojë jetën, por zbulimi në kohë mund të të japë mundësinë për ta luftuar.

Këtë tetor nuk dua të më shihni si një grua që ka kaluar një operacion për kancer gjiri. Dua të më shihni si një grua që po mëson të jetojë edhe një herë me një trup tjetër, me një frikë tjetër, por edhe me një dashuri shumë më të madhe për jetën. Sepse kanceri mund të të marrë një pjesë të trupit, por nuk ka të drejtë të të marrë identitetin, dinjitetin, ëndrrat dhe dëshirën për të jetuar. Unë ende kam shumë gjëra për të bërë, shumë njerëz për të përqafuar, shumë vende për të parë, shumë fjalë për të shkruar dhe shumë jetë për të jetuar.

Prandaj këtë tetor, fjongoja rozë për mua nuk është shenjë e sëmundjes. Është shenjë e një premtimi që ia bëj vetes dhe çdo gruaje që do ta lexojë këtë histori. Mos e lini veten për në fund të listës. Kontrollohuni! Dëgjojeni trupin tuaj dhe kujdesuni për veten. Sepse ndonjëherë kujdesi për veten nuk është luks, nuk është egoizëm dhe nuk është diçka që mund të presë. Është mënyra më e thjeshtë për t’i thënë jetës se dua të jem këtu!

ME TE LEXUARAT