Kërkoi të marrë pjesë në mbledhjen e sotme, SPAK refuzon Veliajn

Politikë

spak-1024x640.jpg
SPAK ka refuzuar kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës për të mundësuar praninë e kryebashkiakut Erion Veliaj në mbledhjen e sotme, e planifikuar për orën 15:00.

Këshilli Bashkiak kishte kërkuar që Veliaj të lejohej të merrte pjesë fizikisht në mbledhje ose, në pamundësi të kësaj, të lidhej përmes videokonferencës. Kërkesa ishte dërguar pranë SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Sipas informacionit, refuzimi i SPAK është bërë në bazë të dispozitave të ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, që përcakton të drejtat dhe trajtimin e personave që ndodhen në paraburgim, si dhe kompetencat e institucioneve përgjegjëse.

Këshilli Bashkiak kishte argumentuar se prania e kryetarit ishte e rëndësishme për shqyrtimin e çështjeve që lidhen me administrimin e Bashkisë së Tiranës, ndërsa në rendin e ditës së mbledhjes së sotme është përfshirë edhe diskutimi mbi projektligjin për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore.

Në kërkesën drejtuar institucioneve, Këshilli Bashkiak iu referua edhe vendimit nr. 66, datë 3 nëntor 2025, të Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se pjesëmarrja e kryetarit në mbledhjet e Këshillit lidhet me ushtrimin e funksioneve të tij institucionale.

Veliaj ndodhet në paraburgim dhe vijon të jetë nën masën e arrestit në burg. Më 15 shtator, Gjykata e Lartë la në fuqi masën e sigurisë ndaj tij, pas rishqyrtimit të çështjes në zbatim të një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion