"Kërkohen dy punonjës IT", Prokuroria e Përgjithshme hap aplikimet për vende pune

Aktualitet

"Kërkohen dy punonjës IT", Prokuroria e Përgjithshme
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, u shqyrtua projektligji “Për buxhetin e vitit 2027”.

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Arqilea Koço, prezantoi nevojat dhe shqetësimet e Prokurorisë së Përgjithshme.

Gjatë mbledhjes, Koço bëri të ditur se institucioni nuk ka kërkuar shtim të fondeve buxhetore, pasi vlerëson se buxheti aktual është i mjaftueshëm për vijimin e aktivitetit.

Megjithatë, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar shtimin e dy specialistëve të teknologjisë së informacionit (IT), për shkak të nevojave që kanë lindur nga zhvillimi dhe administrimi i sistemit të menaxhimit të çështjeve.

“Kërkesat tona përmblidhen vetëm në shtimin e numrit të dy personave për IT, të cilët kanë lindur si nevojë për shkak të përfshirjes në projektin e sistemit të menaxhimit të çështjeve, e cila kërkon persona të kualifikuar dhe persona të cilët kanë specializime të veçanta në lidhje me mbrojtjen kibernetike, pasi sikurse keni parë dhe së fundmi, sulmet kibernetike ndaj sistemeve tona kanë qenë të egra dhe të shpeshta”, tha ai.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhej me mungesën e ambienteve të përshtatshme në disa prokurori, konkretisht në Sarandë, Fier, Durrës dhe Tiranë.

Sipas Koços, ndryshimet e hartës gjyqësore dhe përqendrimi i prokurorëve dhe punonjësve në këto institucione kanë krijuar mbingarkesë.

“Gjithsesi duhet të ripërmend një shqetësim të vazhdueshëm që ne kemi përmendur edhe takime të tjera që lidhet me mungesat e ambienteve në disa prokurori, sikurse janë Saranda, Fier, Durrës dhe Tirana, të cilat janë po thuajse jashtë një funksionimi normal për shkak të mungesës së kapaciteteve, e ndodhur kjo edhe për shkak të ndryshimit të hartës gjyqësore dhe përqendrimit të prokurorëve dhe punonjësve nëpër këto prokurori.

Në këtë situatë që jemi aktualisht, aktiviteti në këto prokurori është në nivele minimale për shkak të këtyre ambienteve. Janë diskutuar disa herë mbi mundësitë për të gjetur ambiente, por ende ky problem nuk po merr zgjidhje”, tha ai.

Relatori Ermal Pecaj tha se Prokuroria e Përgjithshme pritet të ketë në dispozicion 3,49 miliardë lekë për vitin 2027, me një rritje prej 97,12 milionë lekësh ose 2,86% krahasuar me buxhetin e ndryshuar të vitit 2026. Ai bëri të ditur se investimet për vitin 2027 janë parashikuar në nivelin e 130 milionë lekëve.

“Prokurorisë së Përgjithshme i parashikohet një financim prej 3,49 miliardë lekësh, ose 97,12 milionë lekë më shumë sesa buxheti i ndryshuar i vitit 2026, ku përfaqëson një rritje prej 2,86%. Për vitin 2027, investimet parashikohen të jenë 130 milionë lekë, po aq sa kanë qenë edhe në vitin e kaluar. Në 10-mujorin e vitit 2026 shpenzimet e përgjithshme kanë arritur në 2,55 miliardë lekë, ose 75,19% të buxhetit të ndryshuar”, tha ai.

 


 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion