"Ishte shtrigë..." Shqiptari në Austri vre't gruan me ar'më, e goditi 40 herë me kaçavidë

Një 38-vjeçare shqiptare nga Kosova, nënë e katër fëmijëve, u vra më 5 prill, të dielën e Pashkëve, në Sooß të Austrisë së Poshtme. I dyshuari për krimin është bashkëshorti i saj 47-vjeçar, i cili fillimisht i kishte çuar dhurata për festën, por më pas dyshohet se e qëlloi tri herë me një pistoletë Beretta dhe e goditi rreth 40 herë me kaçavidë në pjesën e sipërme të trupit, derisa ajo nuk lëvizte më. Më pas, ai dyshohet se e tërhoqi trupin e gruas në kopsht dhe e fshehu nën mbeturina bimore.
Sipas gazetës austriake Heute, hetimet kanë zbuluar se 47-vjeçari besonte se bashkëshortja e tij ishte shtrigë dhe merrej me magji të zezë. Edhe pas arrestimit, ai vazhdonte të fliste për demonë dhe forca të errëta, ndërsa gardianët e burgut i quante “njerëz shpellash që përgatiteshin për ferr”. Një ekspertizë e re psikiatrike ka konstatuar se ai vuan nga çrregullime psikotike dhe nuk konsiderohet penalisht i përgjegjshëm për veprimet e tij.
Për këtë vrasje akuzohet edhe një tjetër shqiptar nga Kosova, 45 vjeç, i cili ndodhet në paraburgim. Prokuroria pretendon se ai i kishte shitur armën autorit të dyshuar, duke e ditur se do ta përdorte për të vrarë bashkëshorten. Ai akuzohet për tregti të paligjshme armësh dhe bashkëpunim në vrasje, ndërsa rrezikon burgim të përjetshëm.
Por avokati i tij, Mirsad Musliu, i mohon akuzat. Ai pretendon se shitja e armës për 900 euro nuk ka ndodhur dhe se ishte vetë 47-vjeçari që kishte tentuar t'ia shiste pistoletën klientit të tij. Sipas avokatit, edhe deklarata e të dyshuarit se e kishte blerë armën më 29 nëntor 2025 duhet vënë në dyshim për shkak të gjendjes së tij mendore.
45-vjeçari ka kaluar më parë 16 vite në burg pas një sulmi me armë ndaj një roje sigurie, por avokati këmbëngul se ai nuk ka lidhje me vrasjen e 38-vjeçares.
Çështja pritet të shqyrtohet nga një juri në Gjykatën Rajonale të Wiener Neustadt në mesin e nëntorit.


