“Industri agresive”, eksperti ngre alarmin për infertilitetin mashkullor nga materiali sintetik

Aktualitet

“Industri agresive”, eksperti ngre alarmin për infertilitetin

Veshjet sintetike dhe ndikimi i tyre i mundshëm në shëndet ishte tema e trajtuar këtë të enjte, më 29 tetor, në emisionin “Rudina”, ku të ftuarit ndanë shqetësimet dhe këshillat e tyre për përzgjedhjen e materialeve që përdorim çdo ditë.

Eksperti i shëndetit publik, Qamil Dika, theksoi se cilësia e veshjeve nuk duhet parë vetëm si çështje estetike, por edhe si një element që lidhet me shëndetin dhe mirëqenien. Ai u ndal veçanërisht te përdorimi i poliesterit në të brendshme dhe te shqetësimet për ndikimin e mundshëm të materialeve sintetike në aftësinë riprodhuese.

“Rëndësia e ndikimit të veshjeve dhe stilit tonë të jetesës është thelbësore, jo vetëm në drejtim të mirëqenies së përditshme, por edhe të shëndetit, duke përfshirë atë riprodhues. Referuar një studimi, 14 meshkuj, të cilët përdorën këtë lloj materiali në mbathjet e tyre përgjatë 12 muajve arritën në azoospermi, pra mosprodhim të spermatozoideve, gjë që do të thotë se këta nuk mund të riprodhonin. Rifitimi i aftësisë së tyre riprodhuese ndodhi vetëm gjashtë muaj pasi nisën përdorimin e një materiali organik.”

Eksperti nënvizoi se veshjet janë pjesë e ekspozimit të përditshëm dhe se përzgjedhja e tyre kërkon më shumë vëmendje, veçanërisht kur bëhet fjalë për materialet që qëndrojnë për një kohë të gjatë në kontakt me trupin.

“Kontakti i drejtpërdrejtë i rrobave me lëkurën, te meshkujt, por edhe te femrat, mund të favorizojë mykun dhe zhvillimin e mikrobeve të caktuara. Në kushtet e lagështisë mund të krijohen probleme që lidhen me infeksionet urinare dhe vaginale, të cilat ndikojnë jo vetëm në shëndetin riprodhues, por edhe në mirëqenien e përditshme.”

Sipas tij, konsumatorët duhet të tregojnë kujdes të veçantë për materialet e veshjeve, duke mos u orientuar vetëm nga çmimi, ngjyra apo tendencat e modës. Ai këshilloi gjithashtu prindërit të jenë të vëmendshëm ndaj veshjeve të fëmijëve të vegjël.

“Kjo industri është shumë agresive dhe qytetarët duhet të jenë shumë të vëmendshëm në përzgjedhjen e veshjeve të tyre. Fëmijët e vegjël kanë rëndësi absolute në raport me rrobat.”

Të ftuarit rekomanduan që konsumatorët të lexojnë etiketat, të informohen për përbërjen e tekstileve dhe, kur është e mundur, të zgjedhin materiale natyrale e cilësore. Vëmendje iu kushtua edhe ndikimit mjedisor, pasi larja e veshjeve sintetike mund të çlirojë mikroplastikë që përfundon në ujëra.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion