Shqiptari akuzohet për rrëmbimin e tre të miturve, gjithçka nisi për një borxh droge prej 7 mijë eurosh!

Një 23-vjeçar i njohur me nofkën “Shqiptari” dhe dhjetë persona të tjerë nga rajoni i Lionit po gjykohen në qytetin e Bourges, në Francë për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të tre të miturve në mars të vitit 2023. Sipas mediave franceze, motivi i dyshuar i ngjarjes lidhet me një borxh prej 7 mijë eurosh nga trafiku i drogës.
23-vjeçari, i cili pretendohet se drejtonte një grup të njohur si “Klani i lionasve” akuzohet se ka organizuar veprimet së bashku me dhjetë persona të tjerë të moshës 22 deri në 28 vjeç. Procesi gjyqësor ka nisur më 27 tetor në gjykatën penale të Bourges, ku do të shqyrtohet roli i secilit prej të pandehurve.
Sipas raportimeve të mediave franceze, më 2 mars 2023, 23-vjeçari dhe dy bashkëpunëtorë të dyshuar shkuan në Bourges me një automjet tip “Renault Clio”, ku morën me vete një 15-vjeçar të identifikuar si Kenzo. Pas dërgimit të tij në rajonin e Lionit, i mituri u kthye sërish në Bourges.
Ngjarja mori përmasa më të rënda në natën mes 3 dhe 4 marsit kur një grup prej 11 personash të ndarë në tri automjete u kthye në qytet. Sipas akuzave, ata hynë me forcë në një apartament ku kapën dy të mitur, i dhunuan dhe i mbyllën në bagazhet e dy makinave, për t'i transportuar më pas drejt Lionit.
Dy të miturit u dërguan në një dhomë hoteli të zinxhirit “Formule 1”, në rajonin e Lionit, sipas raportimeve të mediave franceze.
Ngjarjet për të cilat akuzohen të pandehurit kanë ndodhur gjatë periudhës 2–9 mars 2023. Sipas raportimeve, çështja nuk do të shqyrtohet nga gjykata e krimeve të rënda, por nga gjykata penale e Bourges.
Procesi pritet të zgjasë pesë ditë dhe synon të përcaktojë përgjegjësitë individuale të 11 të pandehurve për rrëmbimin, mbajtjen peng dhe privimin e paligjshëm të lirisë së tre të miturve.


