Ndahet nga jeta aktori i “Star Trek”, Walter Koenig, i njohur për rolin ikonik të Çekovit (FOTO)

Aktori amerikan Walter Koenig, i njohur në mbarë botën për interpretimin e Pavel Çekovit në serialin e famshëm fantastiko-shkencor “Star Trek”, është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare.
Sipas revistës Variety, aktori ndërroi jetë të dielën, më 25 tetor, në Los Anxhelos, i rrethuar nga familjarët dhe njerëzit e tij të dashur, mes tyre vajza dhe mbesa e tij.
I lindur më 14 shtator 1936 në Çikago, Koenig nisi rrugëtimin e tij akademik duke studiuar psikologji në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA), përpara se t’i përkushtohej aktrimit dhe të ndërtonte një karrierë të gjatë në botën e filmit dhe televizionit.
Ai u bë pjesë e kastit të “Star Trek” në vitin 1967, në sezonin e dytë të serialit, duke interpretuar Pavel Çekovin, një nga personazhet e dashura për fansat e sagës. Roli i dha famë ndërkombëtare dhe e lidhi emrin e tij përgjithmonë me një prej ekskluziviteteve më të njohura të zhanrit fantastiko-shkencor.

Përveç “Star Trek”, Koenig u shqua edhe për rolin e tij në serialin “Babylon 5”, duke dëshmuar aftësitë e tij në një tjetër produksion të rëndësishëm të këtij zhanri.
Gjatë karrierës së tij mbi pesëdekadëshe, aktori u angazhua në seriale televizive, filma dhe shfaqje teatrale. Ai nuk u kufizua vetëm te aktrimi, por punoi edhe si skenarist, regjisor dhe shkrimtar, duke zgjeruar kontributin e tij në industrinë e argëtimit.
Në shenjë vlerësimi për karrierën e tij, në vitin 2012 ai u nderua me një yll në “Hollywood Walk of Fame”. Edhe në vitet e fundit të jetës, Koenig vijoi të ishte aktiv në projekte artistike dhe në shkrim.
Jeta personale dhe humbjet familjare
Në jetën personale, Walter Koenig u martua me aktoren Judy Levitt në vitin 1965. Çifti pati dy fëmijë: djalin Andrew Koenig, gjithashtu aktor, dhe vajzën Danielle, komediane dhe shkrimtare, e cila është e martuar me komedianin Jimmy Pardo.
Familja kishte përjetuar një humbje të rëndë në vitin 2010, kur Andrew Koenig ndërroi jetë. Bashkëshortja e aktorit, Judy Levitt, u nda nga jeta në vitin 2022.


