I bën për spital, 32-vjeçari në Greqi hyn në banesën e ish-gruas dhe partnerit të saj të ri

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, ku një 32-vjeçar dyshohet se ka hyrë me forcë në banesën e ish-partneres së tij në Lavrio dhe ka sulmuar me thikë atë dhe partnerin e saj të ri. Të dy të plagosurit ndodhen në spital në gjendje të rëndë, ndërsa në momentin e sulmit në banesë ndodheshin edhe dy fëmijët e mitur të çiftit (të plagosurës dhe autorit), të moshës 2 vjeç e gjysmë dhe 1 vjeç e gjysmë.
32-vjeçari, shtetas rumun, ishte i njohur më herët për autoritetet, pasi ish-partnerja e tij e kishte denoncuar pesë herë që nga 27 nëntori 2025 për raste që lidhen me dhunën në familje, si dhe shkeljen e detyrimeve të ushqimit.
Rreth një muaj para sulmit, më 3 shtator 2026, 32-vjeçari ishte arrestuar sërish për kërcënime në familje dhe shkelje të legjislacionit për armët. Gjatë kontrollit, policia i kishte gjetur një mjet prerës rreth 22 centimetra të gjatë dhe një shufër.
Ngjarja e fundit ndodhi rreth orës 00:15 në zonën Kavodocanos të Lavrios. Sipas informacioneve paraprake, 32-vjeçari është ngjitur në ballkonin e banesës ku ndodhej ish-partnerja e tij me partnerin e saj dhe ka hyrë me force, pasi ka thyer xhamin e derës së ballkonit me një çekiç.
Më pas, ai dyshohet se i ka sulmuar të dy me thikë. Gruaja 32-vjeçare ka marrë plagë në shpinë, mushkëri dhe gjymtyrët e sipërme, ndërsa partneri i saj 33-vjeçar ka pësuar dëmtime në zonën e klavikulës, brinjëve dhe organeve gjenitale.
Të dy u transportuan me ambulancë në spitalin Asklepieion të Vulës. Për shkak të gjendjes së saj të rënduar, gruaja u transferua më pas në spitalin Evangelismos, ndërsa 33-vjeçari vijon të marrë trajtim në Asklepieion. Gjendja shëndetësore e të dyve raportohet e rëndë.
Në momentin e sulmit, dy fëmijët e vegjël të gruas dhe 32-vjeçarit ndodheshin brenda banesës. Sipas të dhënave paraprake, ata ishin në gjumë kur ndodhi sulmi.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar është dorëzuar vetë në Departamentin e Policisë së Lavreotikut. Ndaj tij është ngritur një çështje penale për tentativë vrasjeje.


