Gjenden në Krujë e Kurbin 3 makina të vjedhura në Fier! Policia: Do të përdoreshin për ngjarje kriminale

Policia ka finalizuar fazën e dytë të operacionit të koduar “Hija e Natës”, duke sekuestruar tre automjete të vjedhura dhe sende të tjera që do të shërbejnë si prova në hetim.
Automjetet janë gjetur në zonën e Fushë-Mamurrasit, në Kurbin, dhe në Borizanë, Krujë, ndërsa dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve kriminale.
Nga hetimet ka rezultuar se dy prej automjeteve janë vjedhur më 13 nëntor 2026, në Mallakastër, ndërsa automjeti i tretë është vjedhur më 13 shtator 2026, në Divjakë. Gjatë kontrolleve në terren, uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar edhe sende të tjera, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët për realizimin e vjedhjeve.
Operacioni “Hija e Natës” nisi me fazën e parë, gjatë së cilës policia zbardhi pesë raste të vjedhjes së automjeteve, arrestoi një prej autorëve të dyshuar dhe shpalli në kërkim dy të tjerë.
Sipas hetimeve, personat e përfshirë dyshohet se vidhnin automjete me qëllim përdorimin e tyre në ngjarje kriminale.
Ndërkohë, Drejtoria Vendore e Policisë Fier vijon hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe kapjen e dy të dyshuarve që vijojnë të jenë në kërkim.


