Ushtronin prosti'tucion në apartamentet me qira ditore në Tiranë, arrestohen pesë shtetase të huaja

Një tjetër rast i ushtrimit të prostitucionit në apartamente me qira ditore është goditur nga policia, aktivitet që reklamohej edhe në rrjetet sociale.
Në pranga kanë përfunduar 5 shtetase të huaja, tre vietnameze dhe dy kineze, të cilat dyshohet se ushtronin këtë aktivitet në tre apartamente në rrugët “Qemal Stafa”, “Him Kolli” dhe “Tomor Malasi”.
Policia ka shpallur në kërkim një 35-vjeçar vietnamez, i dyshuar se siguronte kundrejt pagesës kushtet për ushtrimin e aktivitetit nga tre prej grave të arrestuara.
Gjithashtu, dy persona të tjerë janë vënë nën hetim si përfitues nga kjo veprimtari. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe 5 telefona celularë, që dyshohet se përdoreshin për reklamimin e aktivitetit në rrjetet sociale.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Last meeting”, kundër ushtrimit të prostitucionit, në banesa me qira ditore, veprimtari e cila reklamohet edhe në rrjete sociale.
Arrestohen 5 shtetase të huaja (3 vietnameze dhe 2 kineze) që ushtronin këtë veprimtari në 3 apartamente në rrugët “Qemal Stafa”, “Him Kolli” dhe “Tomor Malasi”.
Shpallet në kërkim një shtetas vietnamez që shfrytëzonte 3 prej shtetasve të arrestuara, me të njëjtën shtetësi.
Vihen në hetim 2 shtetas, përfitues nga kjo veprimtari.
Sekuestrohen 5 celularë me të cilët kryheshin postime rreth kësaj veprimtarie.
Si rezultat i punës operative dhe monitorimit në hapësirën digjitale, me objektiv konstatimin dhe goditjen e rasteve të reklamimit në rrjete sociale, të prostitucionit që ushtrohet nga shtetase të huaja, në banesa të marra me qira ditore, në kryeqytet, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar “Last meeting”.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetaset që ushtronin këtë veprimtari në 3 apartamente, V. P., 40 vjeçe, P. K., 42 vjeçe dhe P. M., 33 vjeçe, të trija vietnameze, si dhe L. Y., 42 vjeçe dhe X. H., 42 vjeçe, të dyja kineze.
Më tej, u shpall në kërkim shtetasi vietnamez, T. T., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka siguruar kundrejt përfitimeve, kushtet për kryerjen e kësaj veprimtarie nga 3 shtetaset vietnameze të arrestuara. Punohet intensivisht për kapjen e këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


