Faturë e re për shoferët/ Ja sa do të paguani pas heqjes së taksës së qarkullimit nga nafta

Aktualitet

Faturë e re për shoferët/ Ja sa do të paguani pas heqjes

Taksa e qarkullimit nuk do të paguhet më në çdo litër naftë apo benzinë, por do të shlyhet një herë në vit. Taksa e qarkullimit që prej 2011-ës, është paguar në karburant, e që sot është 27 lekë për litër (32.4 lekë me TVSH), nga janari 2027, kalon tek taksat e makinës, dhe do të përllogaritet në bazë të vjetërsisë së mjetit, fuqisë motorike dhe karburantit që përdor.

Projektligji për “Taksat kombëtare”, si pjesë e paketës fiskale 2027, dyfishon tarifën e karburantit që përdoret për të përllogaritur taksën e mjetit. Aktualisht taksa fikse që paguhet sipas llojit të karburantit në taksat vjetore është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën.

Nëpërmjet projektligjit propozohet që për mjetet me fuqi motorike deri 2 mijë kubik, taksa do të jetë 25 lekë për naftën, 20 lekë për benzinën dhe 20 lekë për gazin. Për mjetet me fuqi motorike mbi 2 mijë kubik taksa fikse për llojin e karburantit është 26 lekë për naftën, 21 lekë për benzinën dhe 21 lekë për gazin.

Kurse për autobusët taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën, 20 lekë për benzinën dhe 20 lekë për gazin, për autobusët.

Për ta ilustruar me një shembull: Një autoveturë me vit prodhimi 2017, me fuqi motorike 1900 kubik, lëndë djegëse naftë me taksë aktuale 12.5 lekë, dhe koeficient vjetërsie 0.23, sot paguan 5.423 lekë. I njëjti mjet vitin tjetër do të paguaj 10,925 lekë, taksë vjetore, ose 101.4% më shumë.

Gjithashtu qeveria synon të vendosë një taksë fikse prej 15 mijë lekësh në vit për mjetet elektrike autoveturë, dhe 10 mijë lekë për motomjetet elektrike. Ndërsa për automjetet e luksit taksa vjetore do të rritet nga 21 mijë lekë çdo vit në 40 mijë lekë çdo vit. Automjet luksoz konsiderohet autovetura deri në 6+1, e cila plotëson të paktën njërin nga kushtet ka cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3000 cm3, ose vlera është më shumë se 5 milionë lekë.

Edhe pse qytetarët do ta paguajnë më lirë naftën, kjo zhvendosje e taksës së qarkullimit, bashkë me tarifat e tjera do të sjellë më shumë para në arkën e shtetit, 33,8 miliardë lekë nga rreth 7,2 miliardë lekë, që parashikohet të arkëtohen në vitin 2026. Pra të ardhurat e parashikuara rezultojnë të rriten 3,7 herë më shumë se niveli aktual.

“Në tërësi, nga ndryshimet e propozuara në taksimin e mjeteve të transportit, të ardhurat vjetore që parashikohen të arkëtohen në buxhetin e shtetit, pa përfshirë pjesën e të ardhurave që u takon agjentëve të mbledhjes së taksave dhe njësive të vetëqeverisjes vendore, vlerësohen në rreth 33,8 miliardë lekë, nga rreth 7,2 miliardë lekë, që parashikohet të arkëtohen në vitin 2026 nga skema aktuale në fuqi, duke sjellë një rritje të të ardhurave prej rreth 26,6 miliardë lekësh në vit.

Në këtë mënyrë, të ardhurat e parashikuara rezultojnë të rriten 3,7 herë më shumë se niveli aktual. Kjo rritje synon të kompensojë efektin negativ buxhetor, që rrjedh nga heqja e taksës së qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin, si dhe të kontribuojë në ruajtjen e qëndrueshmërisë së të ardhurave buxhetore”, thuhet në relacion.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion