“Ecni përpara me planin e Gazës”- Telefonata Trump-Netanyahu pas zgjedhjeve në Izrael: Në diskutim edhe lufta me Iranin

Bota

“Ecni përpara me planin e Gazës”- Telefonata

Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të vijojë me zbatimin e planit të paqes për Rripin e Gazës, gjatë një bisede telefonike që dy liderët zhvilluan të enjten e kaluar.

Lajmi bëhet i ditur nga Axios, që citon dy burime të njohura me bisedën. Sipas tyre, Trump dëshiron që plani të ecë përpara, pavarësisht se si do të formohet qeveria e re në Izrael pas zgjedhjeve.

Plani parashikon çarmatimin e Hamasit, çmilitarizimin e Gazës dhe kalimin e administrimit të territorit në duart e një qeverie të re palestineze me ekspertë dhe teknikë të pavarur.

Administrata amerikane kishte shmangur presionin për zbatimin e planit gjatë fushatës zgjedhore në Izrael, për të mos e kthyer çështjen në një tjetër përplasje politike.

Plani me 20 pika dhe çarmatimi i Hamasit

Izraeli dhe Hamasi kishin rënë dakord për planin me 20 pika të propozuar nga Trump, i cili çoi në përfundimin e luftës në Gaza dhe lirimin e pengjeve.

Në kuadër të marrëveshjes u krijua edhe Këshilli i Paqes i presidentit amerikan, i cili po punon për fazën e ardhshme të procesit.

Ndër masat kryesore janë krijimi i një qeverie palestineze teknokrate, vendosja e një force ndërkombëtare stabilizimi dhe largimi i organizatave të armatosura nga kontrolli politik dhe i sigurisë në territor.

Megjithatë, qeveria izraelite ka treguar rezerva për zbatimin e këtyre masave, kryesisht për shkak të zhvillimeve të brendshme politike dhe shqetësimeve për sigurinë.

Netanyahu dyshon se Hamasi do të dorëzojë armët

Gjatë vizitës së tij në Izrael në gusht, Jared Kushner, këshilltar dhe dhëndër i Trump, i kishte bërë të ditur Netanyahut se Hamasi kishte pranuar për herë të parë të dorëzonte armatimin.

Kushner i kishte kërkuar kryeministrit izraelit të ndërmerrte hapat e nevojshëm për të verifikuar nëse ky angazhim mund të zbatohej në praktikë.

Por Netanyahu vijon të jetë skeptik për gatishmërinë e Hamasit për t’u çarmatosur. Ai pretendon se organizata vazhdon të armatoset dhe të rindërtojë kapacitetet e saj ushtarake në Gaza.

Sipas një zyrtari të lartë amerikan, çarmatimi do të zhvillohet në mënyrë graduale dhe çdo fazë do të verifikohet me kujdes. Ai theksoi gjithashtu se rindërtimi i Gazës nuk do të nisë pa pasur fillimisht përparim konkret në procesin e çarmatimit të Hamasit.

Në bisedën telefonike mes Trump dhe Netanyahut morën pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, si dhe të dërguarit Jared Kushner dhe Steve Witkoff.

Sipas burimeve të cituara nga Axios, biseda u zhvillua në një atmosferë pozitive dhe konstruktive, ku në fokus ishin hapat e ardhshëm për Gazën. Nismën për telefonatën e kishte marrë vetë Netanyahu, ndërsa në diskutim u përfshi edhe lufta me Iranin.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion