E rëndë, i riu u hodh nga kati i 11-të dhe ra mbi vajzën, babai i viktimës kërkon dënimin e tij për vra'sje

Bota

E rëndë, i riu u hodh nga kati i 11-të dhe ra mbi vajzën,
Një ngjarje tragjike në qytetin e Nagoyas, në Japoni, ka shkaktuar zemërim dhe një betejë ligjore, pasi një 29-vjeçar që u hodh nga kati i 11-të i një pallati ra mbi një vajzë 23-vjeçare, duke i shkaktuar vdekjen, ndërsa vetë mbijetoi. Viktima, Hora Inaba, po ecte në trotuar kur burri u hodh nga ballkoni i një pallati 12-katësh. E reja pësoi plagë të rënda dhe u transportua në spital, por nuk arriti t’u mbijetonte dëmtimeve.

Ndërkohë, 29-vjeçari mbeti gjithashtu i plagosur rëndë dhe qëndroi për një periudhë në spital, në gjendje kome. Pasi rifitoi vetëdijen, ai u mor në paraburgim në fund të gushtit dhe u arrestua nën dyshimin për shkaktim të vdekjes nga pakujdesia e rëndë. Gjithashtu, është nisur një vlerësim psikiatrik për të përcaktuar gjendjen e tij dhe përgjegjësinë penale.

Babai i 23-vjeçares, Kenji Inaba, nuk e pranon që vdekja e vajzës së tij të trajtohet si një aksident dhe kërkon që 29-vjeçari të përballet me akuzën e vrasjes. Në një intervistë për mediat japoneze, ai ka rrëfyer dhimbjen e madhe pas humbjes së vajzës, duke kujtuar edhe mesazhin e fundit që kishte marrë prej saj. Hora i kishte thënë se të nesërmen planifikonte të shkonte në shtëpinë e tij për të darkuar së bashku.

Babai tregoi se ishte shumë i lumtur që do të ribashkohej me të bijën pas rreth nëntë muajsh, por takimi i tyre nuk u realizua kurrë. Që prej ngjarjes, ai ka zhvilluar një betejë ligjore për të kërkuar një akuzë më të rëndë ndaj të dyshuarit. Sipas tij, gjatë takimeve me 29-vjeçarin, ky i fundit i ka kërkuar falje, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të. 

Kenji Inaba tregoi se në njërin prej takimeve e kishte pyetur të dyshuarin nëse ishte hedhur pa marrë parasysh se mund të kishte njerëz poshtë dhe se dikush mund të humbiste jetën.

Sipas babait, burri ishte përgjigjur: “Po, është e vërtetë”. Ai e interpreton këtë përgjigje si tregues se i dyshuari ishte i vetëdijshëm për rrezikun që veprimi i tij mund t’u shkaktonte njerëzve të tjerë.

Në përpjekje për të ndryshuar drejtimin e çështjes penale, Kenji Inaba ka nisur në muajin shtator një peticion online, përmes të cilit kërkon që 29-vjeçari të gjykohet për vrasje me dashje eventuale, pra në rrethana kur autori parashikon mundësinë e vdekjes së një personi tjetër dhe e pranon atë rrezik.

Fushata ka marrë mbështetjen e më shumë se 45 mijë personave, sipas raportimeve të mediave japoneze. Megjithatë, juristët në Japoni paralajmërojnë se pranimi i një akuze të tillë nuk është i thjeshtë. Një nga çështjet që duhet të shqyrtohet është nëse mund të provohet se i dyshuari e parashikoi dhe e pranoi mundësinë që rënia e tij të shkaktonte vdekjen e një kalimtari.

Përcaktimi i përgjegjësisë penale dhe i akuzës përfundimtare do të varet nga provat dhe vlerësimi i autoriteteve gjyqësore.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion