E majta apo e djathta ekstreme?/ Spanjollët votojnë sot, aleanca që mund të ndryshojë vendin

Qendrat e votimit janë hapur në Spanjë, ku qytetarët po votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kryeministri socialist Pedro Sanchez thirri zgjedhjet tetë muaj përpara përfundimit të mandatit, pasi deputetët rrëzuan ndryshimet e propozuara prej tij për ligjet e strehimit.
Partia Socialiste e Sanchezit (PSOE) përballet me një garë të fortë nga Partia Popullore konservatore (PP), e drejtuar nga Alberto Núñez Feijóo, e cila mund të ketë nevojë për mbështetjen e partisë së ekstremit të djathtë Vox për të siguruar shumicën parlamentare.
Sondazhet e fundit e nxjerrin Sanchezin pak pas rivalit të tij, Feijóo, por kryeministri është shprehur optimist për fitoren. Qytetarët mund të votojnë deri në orën 20:00 të së dielës, ndërsa rezultatet paraprake pritet të publikohen rreth një orë pas mbylljes së qendrave të votimit. Numërimi zyrtar do të vijojë gjatë natës deri të hënën.
Kriza e strehimit dhe mungesa e banesave me çmime të përballueshme kanë qenë temat kryesore të fushatës, të ndjekura nga rritja e kostos së jetesës dhe emigracioni.
Sanchez, i cili është në pushtet që prej vitit 2018, ka arritur të mbijetojë politikisht përballë disa sfidave dhe ka fituar vëmendje edhe në arenën ndërkombëtare. Ai ka kritikuar veprimet e Izraelit në Gaza dhe politikat e presidentit amerikan Donald Trump. Megjithatë, në vend, qeveria e tij është dëmtuar nga skandalet e korrupsionit, kriza e strehimit dhe dy aksidente tragjike hekurudhore.
Nëse socialistët fitojnë numrin më të madh të vendeve në parlament, Sanchez mund të përballet me vështirësi për të krijuar një koalicion qeverisës me partitë e majta. Nga ana tjetër, nëse Partia Popullore arrin të marrë drejtimin e qeverisë, pritet të mbështetet te Vox, e drejtuar nga Santiago Abascal.
Dy partitë kanë bashkëqeverisur më parë në katër rajone të Spanjës, por hyrja e Vox në qeverinë qendrore do të kishte ndikim të rëndësishëm në politikën e vendit dhe mund të ndryshonte më tej ekuilibrat politikë në Europë.
Vox mbështet politika që i japin përparësi qytetarëve spanjollë në përfitimet sociale, si dhe propozimin e quajtur “remigrim”, që parashikon largimin e të huajve që partia i konsideron se nuk kontribuojnë në ekonominë e vendit. Kritikët e krahasojnë ideologjinë e saj me disa aspekte të periudhës së diktaturës së Francisco Francos, një krahasim që partia e kundërshton.
Fushata zgjedhore përfundoi të premten, ndërsa e shtuna ishte dita e heshtjes zgjedhore, gjatë së cilës ndalohet zhvillimi i aktiviteteve elektorale.


