E akuzojnë se fshehu dënimin në Greqi, Berisha dhe Malltezi thirren në SPAK për Irena Gjokën

Prokuroria e Posaçme ka thirrur kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishën, dhe Jamarbër Malltezin për t’i marrë në pyetje në lidhje me kallëzimin e depozituar ndaj gjyqtares së posaçme Irena Gjoka.
Sipas informacioneve, të dy janë ftuar të paraqiten në SPAK më 12 nëntor, në orën 10:00, ku do të pyeten në cilësinë e kallëzuesve.
Kjo lëvizje e prokurorisë vjen pas vendimit të Gjykatës së Posaçme, e cila nuk pranoi kërkesën e SPAK për pushimin e hetimeve ndaj gjyqtares Gjoka dhe vendosi kthimin e dosjes për kryerjen e veprimeve të tjera hetimore.
Kallëzimi ndaj gjyqtares lidhet me dyshimet për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit, ku pretendohet se nuk është pasqyruar një dënim i marrë në Greqi.
Irena Gjoka është gjyqtarja e posaçme që ka firmosur vendimet për kërkesat e SPAK në kuadër të dosjes “Partizani”, çështje në të cilën janë të pandehur Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi.


