Do t’i nënshtrohet ndërhyrjejes kirurgjikale, si paraqitet gjendja e të riut që u dhu'nua në protestë

I riu që u paraqit mbrëmjen e së martës tek spitali i Traumës me dëmtim të këmbës pritet të futet në sallën e operacionit për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Mjekët bëjnë me dije se momentalisht ai është në gjendje të mirë shëndetësore.
I riu mësohet se ka dëmtim të kërcirit. Ai u dëmtua gjatë protestës por në deklaratat e tij para uniformave blu, por edhe për mikrofonin e Euronews Albania tha se nuk ishte pjesë e protestës por është dëmtuar nga policia. Ai ka deklaruar se po shikonte një ndeshje të Champions League dhe gjithçka ka ndodhur kur ka dale nga lokali.
Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra katër efektivë dhe shefin e Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisarin F. K., pas publikimit të videos ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga punonjësit e policisë pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital.
Përmes një njoftimi zyrtar, Policia bën të ditur se ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën e trajtimit të të riut nga efektivët. Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor ndaj pesë punonjësve të pezulluar.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është ngritur edhe një grup i posaçëm për të verifikuar veprimet e punonjësve gjatë gjithë tubimit dhe për të analizuar nëse janë zbatuar procedurat standarde të punës. Policia thekson se çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.
Policia e Shtetit dënon aktet e dhunës, dëmtimin dhe djegien e pronës gjatë protestës, duke theksuar se këto veprime nuk lidhen me ushtrimin paqësor të së drejtës për të protestuar.
Policia u ka bërë thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune të ndalojnë menjëherë, ndërsa qytetarëve u ka kërkuar të distancohen nga personat e dhunshëm për të garantuar sigurinë e tyre.


