Breshëri sulmesh ruse në qytetet ukrainase, të paktën 8 të vra'rë dhe dhjetëra të tjerë të pla'gosur

Të paktën tetë persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmet e reja ruse në disa zona të Ukrainës, ndërsa objektivat kryesore kanë qenë qytetet pranë vijës së frontit, objektet industriale dhe infrastruktura energjetike.
Në Dnieper, katër persona u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën pasi një objekt i kompanisë Interpipe u godit nga sulmet ruse. Dy persona humbën jetën në Kherson, ndërsa një tjetër u vra në Odesa, porti strategjik i Ukrainës në Detin e Zi. Një tjetër viktimë u raportua në rajonin e Donetskut, ku, sipas policisë, një bombë e hedhur nga një avion rus goditi zonën.
Kompania ukrainase e energjisë Naftogaz njoftoi gjithashtu se objektet e saj ishin shënjestruar nga raketa balistike.
Kryeministri ukrainas akuzoi Moskën për sulme të qëllimshme ndaj bizneseve, fermave, depove, hekurudhave, infrastrukturës energjetike dhe ndërtesave të banimit.
Ndërkohë, Kievi ka intensifikuar sulmet dhe inkursionet e tij në territorin rus, duke zgjeruar përplasjen përtej vijave të frontit.
Ndërsa Rusia dhe Ukraina vijojnë shkëmbimet e sulmeve, qytetet ukrainase përballen me viktima, dëme të konsiderueshme dhe ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa objektet energjetike dhe infrastruktura kritike mbeten ndër objektivat kryesore të sulmeve.


