Zv.presidenti i SHBA stërvitet 90 minuta me ushtarë amerikanë dhe britanikë: Ndihem sikur më goditi treni

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, mori pjesë të hënën në një stërvitje intensive 90-minutëshe së bashku me pjesëtarë të forcave elitare Navy SEALs, në një plazh të Kalifornisë, në kuadër të një vizite në një bazë ushtarake.

Stërvitja u zhvillua në Naval Amphibious Base Coronado dhe përfshinte vrapim në rërë, ngjitje me litarë dhe ushtrime për transportimin e trungjeve, aktivitete që janë pjesë thelbësore e përgatitjes fizike të njësive speciale. Vance, veteran i Korpusit të Marinës Amerikane, deklaroi se “komandot detare” u treguan të kujdesshëm për të mos e ngarkuar tepër, megjithatë përvoja rezultoi jashtëzakonisht rraskapitëse.

Në një postim në llogarinë e tij personale në platformën X, ai shkroi: “Sapo përfundova një stërvitje 90-minutëshe me Navy SEALs. Më trajtuan me lehtësi, por sërish ndihem sikur më ka goditur një tren”.
Në të njëjtën deklaratë, zëvendëspresidenti shprehu mirënjohjen e tij ndaj Forcave të Armatosura të SHBA-së, duke theksuar: “Jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj të gjithë luftëtarëve tanë që na mbajnë të sigurt dhe ruajnë standardet më të larta në mbarë botën”.

Navy SEALs janë forcat speciale elitare të Marinës Luftarake të Shteteve të Bashkuara dhe konsiderohen ndër njësitë më kërkuese dhe më rigorozisht të trajnuara në nivel global.
Baza në Coronado njihet si qendra kryesore e trajnimit bazë Basic Underwater Demolition/SEAL (BUD/S), e cila përfshin edhe fazën famëkeqe të njohur si “Hell Week” (Java e Ferrit).

Kjo fazë e trajnimit ka fituar një reputacion pothuajse legjendar për shkak të lodhjes ekstreme fizike dhe psikologjike që imponon ndaj kandidatëve, me vlerësime që tregojnë se vetëm rreth 20% e pjesëmarrësve arrijnë ta përfundojnë me sukses.


