Zbulohet portali që transmetonte pamje nga banesa, parukeri dhe klinika! Pagesa deri në 600 dollarë për akses

Bota

Zbulohet portali që transmetonte pamje nga banesa, parukeri dhe klinika!

Një faqe interneti e aksesueshme lirisht paraqet mijëra video të vjedhura (hakuara) nga kamerat e mbikëqyrjes të instaluara në shtëpi private, sallone bukurie dhe zyra mjekësore. Ky zbulim vjen pas skandalit të forumit ‘Phica’, duke ngritur dyshime të forta dhe alarm në Itali për sigurinë dixhitale. Yarix, kompania e sigurisë kibernetike me seli në Treviso, që i përket grupit Var, e cila menjëherë e raportoi faqen e internetit në Policinë Postare.

Sipas analizës së kompanisë me seli në Treviso, platforma ka qenë aktive që të paktën nga dhjetori 2024 dhe mbledh mbi 2000 kamera të hakuara nga vende të ndryshme të botës. Përdoruesit mund të shohin fragmente të shkurtra falas, por faqja ofron gjithashtu mundësinë për të blerë akses të drejtpërdrejtë në kamera, me çmime që variojnë nga 20 dollarë, deri në 575 dollarë, informon media italiane ‘La Repubblica’.

Pagesa bëhet përmes një boti të dedikuar në Telegram, i cili ju lejon të zgjidhni një ose më shumë pajisje bazuar në popullaritetin dhe numrin e shikimeve: disa video kanë tejkaluar tashmë 20,000 shikime.

Regjistrimet janë kataloguar duke përdorur etiketa që identifikojnë vendndodhjen, dhomën, njerëzit dhe aktivitetet e filmuara, duke u lejuar përdoruesve të kërkojnë përmbajtje ashtu siç do të bënin në një platformë standarde video. Analiza e ID-ve unike të kamerave zbuloi se pamjet filmike vijnë nga vende të shumta, duke përfshirë Francën, Gjermaninë, Rusinë, Ukrainën, Meksikën dhe Argjentinën. Përafërsisht 150 video janë identifikuar tashmë për Italinë dhe numri është vazhdimisht në rritje.

Faqja është e vendosur në një domen të regjistruar në Tonga, në Oqeanin Paqësor, një zgjedhje që do t’u garantonte operatorëve anonimat më të madh dhe më pak kufizime ligjore. Në fakt, shumë vende jo-anëtare të BE-së nuk kërkojnë procedura të rrepta verifikimi për regjistrimin e domenit dhe nuk kanë marrëveshje bashkëpunimi ndërkombëtar mbi privatësinë dhe krimin kibernetik, duke e bërë të vështirë për autoritetet e huaja të marrin informacion ose të bllokojnë aktivitetin e tyre.

Yarix ia përcolli zbulimin Qendrës së Operacioneve të Sigurisë Kibernetike të Venedikut, me të cilën ka bashkëpunuar që nga viti 2016, sipas një memorandumi mirëkuptimi. Policia Postare po kryen tani hetime të mëtejshme për të përcaktuar nëse të gjitha videot burojnë nga kamerat e hakuara pa dijeninë e viktimave, apo nëse, për të rritur trafikun dhe të ardhurat, është përfshirë edhe përmbajtje me aktorë. Ndërkohë, ekipi i Inteligjencës së Kërcënimeve Kibernetike i Yarix vazhdon të monitorojë zhvillimet e portalit, mes shqetësimit në rritje për sasinë e madhe të të dhënave të ndjeshme të ekspozuara dhe pasojat e mundshme për privatësinë dhe sigurinë e njerëzve.

ME TE LEXUARAT