Trump ironizoi George Clooney pasi ai mori shtetësinë franceze, aktori i përgjigjet me finesë!

Aktori George Clooney ka reaguar ndaj presidentit amerikan Donald Trump, pas kritikeve të tij për vendimin e Francës që t’i japë aktorit të njohur hollywoodian dhe familjes së tij shtetësinë franceze.
Aktori 64-vjeçar, bashkëshortja e tij Amal Alamuddin Clooney dhe dy fëmijët e tyre u bënë qytetarë francezë këtë muaj, pas disa vitesh qëndrimi në një pronë në jug të Francës. Clooney ka përmendur ligjet franceze për privatësinë, të cilat kanë mbrojtur familjen e tij nga mediat ndërkombëtare, si dhe mundësinë për të rritur fëmijët jashtë Holliwood-it.
Trump, i cili gjatë administratës së tij ka mbështetur partitë anti-imigracion në Europë, shkroi në Truth Social se Franca ishte e mirëpritur ta kishte Clooney-n, i cili është mbështetës dhe donator i Partisë Demokrate dhe kritik i zëshëm i presidentit.
“Lajm i mirë! George dhe Amal Clooney, dy nga parashikuesit më të këqij politikë të të gjitha kohërave, janë bërë zyrtarisht qytetarë francezë, një vend që fatkeqësisht po përballet me një problem të madh kriminaliteti për shkak të trajtimit të tmerrshëm të imigracionit”, shkroi Trump.
Clooney iu përgjigj me shaka lidhur me zgjedhjet e ardhshme amerikane. “Jam plotësisht dakord me presidentin aktual. Duhet ta bëjmë Amerikën sërish të madhe. Do të fillojmë në nëntor”.
Vendimi për të dhënë pasaporta për Clooney-n dhe familjen e tij vjen para se të hyjnë në fuqi rregulla të reja për gjuhën franceze për shtetësinë, të cilat kërkojnë njohuri më të mira të gjuhës dhe test të njohurive civile. Një ministër i qeverisë franceze kritikoi vendimin, duke thënë se mund të perceptohet si një “standard i dyfishtë” për qytetarët e zakonshëm.

Megjithatë, ministri i Brendshëm Laurent Nunez dhe Ministria e Jashtme e mbrojtën vendimin, duke sqaruar se shtetësia i është dhënë Clooney-t për shërbimet e tij të dalluara që kontribuojnë në influencën dhe prosperitetin ekonomik ndërkombëtar të Francës. Amal Clooney, avokate e njohur për të drejtat e njeriut dhe me dy shtetësi (MB-Liban), flet rrjedhshëm frëngjisht, ndërsa George ka pranuar se gjuhën frënge nuk e di mirë, edhe pas 400 ditësh kursesh intensive.
Clooney bleu Domaine du Canadel, një pronë ish-vreshtash pranë qytetit Brignoles në Provence, në 2021, duke thënë se aty është vendi ku familja e tij është më e lumtur. Ministri Nunez u shpreh se Franca ka fat që ka Clooney-n. Ministria e Jashtme theksoi se dhënia e pasaportës përmbush kushtet ligjore dhe se Clooney-t kontribuon për prestigjin kulturor dhe influencën ndërkombëtare të Francës.
Rreth 48,800 persona fituan shtetësinë franceze me dekret në vitin 2024. Clooney nuk është i vetmi që dëshiron pasaportë franceze; regjisori hollywoodian Jim Jarmusch njoftoi gjithashtu aplikimin e tij, duke thënë se kërkon “një vend ku të mund të largohet nga Shtetet e Bashkuara”. /The Guardian/


