Taksisti grabit turisten në Mykonos, i merr çantën Hermès dhe orën Rolex me vlerë 75 mijë euro

Një 34-vjeçar grek është arrestuar në ishullin turistik të Mykonos, pasi dyshohet se i ka marrë një turisteje nga Ukraina një çantë luksoze Hermès dhe një orë Rolex, me vlerë totale rreth 75 mijë euro.
Sipas autoriteteve greke, 34-vjeçari, i cili punonte si taksist, i kërkoi 29-vjeçares sende personale me vlerë si garanci për pagesën e udhëtimit nga Mykonos Town drejt zonës së Ano Meras, deri në akomodimin e saj në Elia. Turistja i dorëzoi një çantë Hermès me vlerë rreth 15 mijë euro dhe një orë luksoze Rolex Day-Date, me vlerë rreth 60 mijë euro.
Por, sapo e reja zbriti nga automjeti, rreth orës 06:20 të mëngjesit, shoferi dyshohet se u largua me shpejtësi, duke e lënë në rrugë dhe duke marrë me vete sendet e saj me vlerë. Turistja denoncoi menjëherë rastin në polici.
Pas hetimeve, policia greke identifikoi dhe arrestoi të dyshuarin në zonën e Agios Stefanos. Fillimisht, kontrolli i automjetit dhe i banesës së përkohshme të tij nuk zbuloi sendet e vjedhura.
Megjithatë, pas kërkimeve të mëtejshme, efektivët gjetën çantën Hermès dhe orën Rolex të fshehura nën disa gurë në një zonë pranë kishës së Agios Patapios. Sendet u sekuestruan dhe do t’i kthehen pronares së tyre.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa 34-vjeçari pritet të përballet me akuzat për përvetësim të paligjshëm të sendeve me vlerë.


