Situata e Covid-19, kancelarja Angela Merkel thirrje për një mbyllje afatshkurtër të vendit

Situata e Covid-19 në Europë dhe në Gjermani paraqitet jo e mirë dhe kjo ka detyruar që kancelarja gjermane Angela Merkel, të mbështesë idenë e mbylljes së vendin për një afat të shkurtër. Lajmi u bë me dije nga një zëdhënëse e Merkel, Ulrike Demmer, që tha se sistemi shëndetësor gjerman është nën një presion gjithnjë e në rritje.
Ajo u tha gazetarëve se numri i pacientëve që janë nën kujdes intensive po rritet.“Për momentin nuk kemi të dhëna pozitive, për aq kohë sa numrat e infeksioneve të reja po rriten. Por një mesazh i qartë është numri i shtretërve të zënë në kujdesin intensiv. Po rriten së tepërmi, shumë shpejt. Mjekët e kujdesit intensiv janë të shqetësuar. Sistemi shëndetësor është nën një presion të madh e të vazhdueshëm,” tha ajo.
Ajo shton se është shënuar një rritje prej 5% i zënies së shtretërve të kujdesit intensiv brenda vetëm 24 orëve. “Na nevojitet një incidencë e qëndrueshme poshtë 100”, tha ajo, duke iu referuar numrit të rasteve të reja për 100.000 banorë, brenda një periudhe 7-ditore në Gjermani.


