Shkatërrimi i digës në Kahovka, Ukraina bën bilancin: Rusët kanë shkaktuar 1.5 mld dollarë dëme

Bota

Shkatërrimi i digës në Kahovka, Ukraina bën bilancin:

Kievi tha se shkatërrimi i digës Kahovka, në zonën e kontrolluar nga rusët në jug të Ukrainës, ka shkaktuar dëme në mjedis në vlerë prej 1.5 miliard dollarë. 

Diga u shkatërrua më 6 qershor dhe shkaktoi dëme shkatërruese në rajonin e Hersonit, si në pjesën që kontrollohet nga rusët, ashtu edhe në atë që kontrollohet nga ukrainasit. Si pasojë e vërshimeve, mijëra persona u detyruan të evakuoheshin dhe u rrit frika për një fatkeqësi mjedisore.

Kievi e ka akuzuar Moskën për “eko-cid” duke thënë se Rusia e ka hedhur në erë digën e epokës sovjetike në lumin Dnjepër, ndërkaq Rusia ka akuzuar Ukrainën për shpërthimin e digës.  “Çdo ditë Rusia po shkakton dëme të reja ndaj Ukrainës”, tha kryeministri ukrainas, Denys Shmygal, gjatë një konference të mbajtur në Londër për rindërtimin e Ukrainës.

Ai tha se kostoja e përgjithshme për rindërtimin e Ukrainës – që po përballet me pushtimin e paprovokuar rus që nga shkurti i kaluar – sipas vlerësimeve të Bankës Botërore është 411 miliardë dollarë. Sipas tij, kjo shifër “do të rritet, veçmas pas shkatërrimit nga Rusia të digës Kahovka”.

Kryeministri ukrainas tha se “vlerësimet e paraprake” thonë se dëmet mjedisore të shkaktuara nga shkatërrimi i digës arrijnë në vlerën prej 1.5 miliard dollarë. Në këtë shifër, sipas tij, nuk përfshihen “dëmet në bujqësi, infrastrukturë, ekonomi familjare dhe rindërtimin e digës”./REL

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion